Take a fresh look at your lifestyle.

Ligjvënësit amerikanë drejtojnë gishtin nga ish-Presidenti për sulmin në Kapitol – Lajmet e fundit



Ligjvënësit amerikanë drejtojnë gishtin nga ish-Presidenti për sulmin në Kapitol


Bota
July 12, 2022 – 23:23

Ligjvënësit amerikanë akuzuan të martën ish presidentin Donald Trump për nxitjen e një turme mbështetësish për të sulmuar Kapitolin më 6 janar 2021, në një përpjekje të fundit për të qëndruar në pushtet ndërsa Kongresi ishte duke çertifikuar zyrtarisht humbjen e tij në zgjedhje.


Anëtarët e një komisioni të përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve që po hetojnë sulmin thanë se zotit Trump i ishte thënë nga këshilltarët në administratën dhe fushatën e tij se ai kishte humbur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe se duhej të pranonte fitoren e Joe Bidenit, por ai zgjodhi të shpërfillte këshillat e tyre.


Në dëshmitë filmike, dëshmitarët përshkruan një takim të tensionuar gjashtë-orësh në dhjetor të vitit 2020, ku zoti Trump shpërfilli këshillat e tyre dhe u rreshtua me këshilltarët e jashtëm, të cilët i kërkuan atij të vazhdonte të ushtronte presion ndaj pretendimeve të tij të pabaza për mashtrime në zgjedhje.


Ish presidenti Trump ishte përfundimisht përgjegjës për kaosin që pasoi, thanë ata.


“Presidenti Trump është një 76-vjeçar. Ai nuk është fëmijë që të ndikohet… Ai është përgjegjës për veprimet e tij dhe zgjedhjet që bën,” tha ligjvënësja republikane Liz Cheney, nënkryetare e panelit.


“Strategjia është të fajësohen njerëzit që këshilltarët e tij i quajtën “të çmendur” për atë që bëri Donald Trumpi. Kjo, natyrisht, nuk ka llogjikë,” tha zonja Cheney.


Anëtarët e komisionit thanë se zoti Trump nxiti trazirat përmes refuzimit të tij për të pranuar se i humbi zgjedhjet dhe përmes komenteve si ai i 19 dhjetorit 2020, ku u bëri thirrje në Twitter mbështetësve që të dynden në Uashington për një “protestë të madhe”, duke thënë: “Hajde atje, do jetë ngjarje.”


Shtatë demokratët dhe dy republikanët e komisionit i kanë përdorur seancat për të argumentuar se përpjekjet e Donald Trumpit për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e nëntorit 2020 përbëjnë sjellje të paligjshme, që tejkalon caqet e politikës normale.


Donald Trumpi, një republikan që ka lënë të kuptohet se mund të kërkojë përsëri të garojë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, mohon të ketë vepruar në mënyrë të jashtëligjshme dhe ka pohuar në mënyrë të rreme se ai humbi vetëm për shkak të mashtrimit të përhapur në zgjedhje nga i cili përfitoi Joe Bideni, një demokrat.


Seanca dëgjimore kërkon gjithashtu të analizojë lidhjet midis grupeve militante të krahut të djathtë, duke përfshirë grupet Oath Keepers, Proud Boys dhe lëvizjen konspirative të internetit QAnon, me ish presidentin Trump dhe aleatët e tij.


Seanca dëgjimore paraqiti dëshmi në video nga Pat Cipollone, ish-këshilltari i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë, i cili foli me hetuesit e komisionit për tetë orë pas dyerve të mbyllura të premten.


Zoti Cipollone tha se i kishte kërkuar ish presidentit Trump të pranonte humbjen.


Komisioni luajti dëshmi të regjistruara nga zoti Cipollone dhe figura të tjera të administratës Trump, duke përshkruar një takim të zemëruar më 18 dhjetor, ku një pjesë e vogël e këshilltarëve të jashtëm të zotit Trump, përfshi avokatin personal Rudy Giuliani, avokatët Sidney Powell dhe Patrick Byrne, shefin ekzekutiv të kompanisë Overstock.com, e inkurajuan atë të sfidonte rezultatin e zgjedhjeve.


“Asnjë nga këta njerëz nuk mendoj se po i jepte presidentit këshilla të mira. Nuk e kuptova se si kishin hyrë brenda,” tha zoti Cipollone.


Takimi zgjati më shumë se gjashtë orë, duke përfunduar pas mesnate. Zoti Giuliani, i cili u shoqërua jashtë ambienteve të Shtëpisë së Bardhë, tha në dëshminë e tij në video se kishte përdorur argumentin: “Ju djema nuk jeni të rreptë sa duhet”.


Sulmi në Kapitol, pas një fjalimi që Trumpo mbajti në një tubim jashtë Shtëpisë së Bardhë, vonoi me orë të tëra çertifikimin e zgjedhjes së Joe Bidenit, plagosi më shumë se 140 oficerë policie dhe çoi në disa vdekje.


Komisioni luajti gjithashtu dëshmi nga një ish-punonjës i Twitterit, i cili përshkroi shqetësimin e tij pas postimit të zotit Trump në dhjetor.


“Dukej sikur po organizohej një turmë dhe ata po mblidhnin së bashku armët dhe arsyetimin e tyre përse ishin të përgatitur të luftonin”, tha punonjësi.


Rreth 800 persona, duke përfshirë anëtarë të të dy grupeve me prirje të djathta, janë akuzuar për pjesëmarrje në trazirat e Kapitolit, me rreth 250 që janë deklaruar fajtorë deri tani.


Zoti Trump dhe mbështetësit e tij – duke përfshirë shumë republikanë në Kongres – e hedhin poshtë komisionin e 6 janarit si një gjueti politike, por mbështetësit thonë se ky është një hetim i nevojshëm për një kërcënim të dhunshëm kundër demokracisë. /VOA


Comments are closed.