Arrestohen në flagrancë dy serbë të dyshuar për tentim vjedhje në veri të Mitrovicës – Lajmet e fundit
Policia e Kosovës (PK) njofton se ka arrestuar në flagrancë të dyshuarit A.R dhe L.V (serbë), nën dyshimin për vjedhje në tentativë.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga Policia, ku thuhet se rasti ka ndodhur pas mesnatës.
“Me datë 11.04.2023 rreth orës 01:48, pas mesnatës, Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe angazhimeve të saj ligjore në ruajtjen e sigurisë, ka pranuar informatën se në tregun te ura kryesore, rruga “Kollashini” Mitrovicë veri, dy persona të dyshuar janë duke thyer xhamat e disa kioskave, menjëherë patrulla policore në detyrë nga stacioni policor Mitrovicë veriu ka reaguar me shpejtësi dhe ka arritur në lokacionin e raportuar, aty janë vërejtur dy personat e dyshuar, mirëpo të njëjtit sapo kanë parë policinë kanë arritur të ikin/ largohen me shpejtësi nga ai lokacion”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, zyrtarët policorë në funksion të parandalimit të vjedhjes dhe arrestimit të personave të dyshuar kanë vazhduar ndjekjen e tyre dhe pas një pune të mirë profesionale kanë arritur që rreth orës 02:30, t’i ndalojnë dy të dyshuarit në rrugën “Kral Petri”.
“Dy personat e arrestuar m/serb me iniciale (A. R. dhe L. V.), janë shoqëruar dhe janë sjellë në Stacionin Policor Mitrovicë veri. Lidhur me rastin është njoftuar hetuesi kujdestar i cili ka njoftuar edhe Prokurorin kompetent”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë në tentative” dhe me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.
Comments are closed.