Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke ia caktuar masën e paraburgimit një muaji të pandehurit B. B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje pa autorizim të armës”.
“Sipas kërkesës, më 28 prill 2023, në fshatin Kijevë të Malishevës, në oborrin e shtëpisë së të pandehurit, pas një mosmarrëveshjeje me xhaxhanë e tij, tani të ndjerin S.B., e privon nga jeta duke e goditur me pistoletë disa herë, më pas e njofton Policinë për vrasjen”. Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ‘Vrasja e rëndë’ dhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Gjyqtari i procedurës paraprake Ilir Rashkaj ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase, sipas tij, kemi të bëjmë me vepra penale të rënda.
“I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 28 prill 2023 dhe do të zgjasë deri më 27 maj 2023”, thuhet tutje.
Comments are closed.