Kurti viziton Ferdonije Qerkezin: Krimet e tilla, dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë – Lajmet e fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot Ferdonije Qerkezin, të cilës në luftën e fundit forcat serbe ia rrëmbyen bashkëshortin dhe katër djemtë.
Kurti tha se Ferdonija jeton mes dhimbjes e kujtimeve për familjarët e saj, raporton Zeri.info.
“Jeton mes kujtimeve, në shtëpinë nga e cila më 27 mars 1999, forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen katër djemtë Artanin, Armendin, Ardianin e Edmondin, dhe bashkëshortin Halimin. Nga aty u rrëmbye edhe nipi i saj Vegim Qerkezi, miku i shtëpisë Shpejtim Ymeraga, si dhe fqinjët Skender Dylhasi me djalin Myrteza, dhe dy djemtë e familjes Jetishi, Shpendi e Fatos”, shkroi ai.
Kurti pas kësaj shkoi në Dardani të Pejës, ku më 27 mars 1999 forcat serbe masakruan 40 civilë shqiptar.
Në këtë vend Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule për të vrarët teksa tha se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.
“Këto vrasje dhe zhdukje me dhunë gjatë luftës ishin pjesë e “Patkoit”, projektit serbomadh për shfarosjen e popullsisë shqiptare në Kosovë. Këto krime janë dëshmia e madhe e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, shkroi ai. /Zëri
Comments are closed.