Take a fresh look at your lifestyle.

Përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit, njëri kundërkandidat konteston aktgjykimin e Supremes në Kushtetuese – Lajmet e fundit



Përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit, njëri kundërkandidat konteston aktgjykimin e Supremes në Kushtetuese




Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar Zyrën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që njëri kundërkandidat në procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, ka parashtruar kërkesë në këtë gjykatë, me të cilën kontestohet aktgjykimi i 23 dhjetorit 2022, i Gjykatës Supreme, i cili ndërlidhet me këtë proces.


Kështu është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi“, nga këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina.


“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, nëpërmjet një letre, sot është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës se në këtë Gjykatë është parashtruar një kërkesë individuale nga njëri nga kundërkandidatët në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit. Në këtë kërkesë kontestohet Aktgjykimi i 23 dhjetorit 2022, i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i cili ndërlidhet me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, tha Kupina.


Ai theksoi se pasi të përfundojë trajtimi i  çështjes së Kryeprokurorit në gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Presidentja Osmani do t`i ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese.


“Presidentja Osmani ka sqaruar në vazhdimësi se të gjitha veprimet lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit, do t`i ndërmarrë në përputhje me mandatin e saj kushtetues, duke respektuar pavarësinë e procedurave gjyqësore, sikurse edhe të drejtën e kandidatëve për të shteruar procedurat kushtetuese dhe ligjore për realizmin e të drejtave të tyre. Sapo të përfundojë trajtimi i çështjes së Kryeprokurorit në gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Presidentja Osmani do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese”, shtoi ai.


Ndryshe, Gjykata Kushtetuese më 4 korrik 2022 kishte shpallur si të papranushme kërkesat e parashtruara nga Shqipon Fazliu dhe Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit, të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit t’i shpallë të papranueshme.


Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative, më 2 gusht 2022, kishte vendosur të hudhet poshtë padia e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, prokurorit Shqipdon Fazliu, si e paraqitur pas kalimit të afatit.


“HEDHET POSHTË si e paraqitur pas kalimit të afatit Padia dhe Propozimi, i paditësit-propozuesit SH.Z.F. nga Gjilani, lënda me shenjën A.nr.1875/22, e dorëzuar në gjykatë me dt. 28.07.2022, për Inicim të Konfliktit Administrativ, për Anulim të Vendimeve të të paditurës-KPK të dt. 06.04.2022, me të cilin Z. B.I. është propozuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe vendimit të KPK/nr. 474/2022-për Refuzimin e Raportit të Komisionit për Rishqyrtim, me Propozim që të bëhet shtyrja e ekzekutimit të te dy vendimeve me numër dhe datë të cekura më lartë, deri në nxjerrjen përfundimtare të vendimit definitiv gjyqësor, lidhur me këtë çështje”, thuhej në dispozitivin e vendimit të shkallës së parë.


Ndaj këtij vendimi, në afat ligjor kishte paraqitur ankesë prokurori Fazliu, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës administrative, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.Ndërsa, Gjykata e Apelit më 1 shtator 2022, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e prokurorit Shqipdon Fazliu dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, e cila e kishte hudhur poshtë padinë si të paraqitur pas kalimit të afatit.


Kurse, Gjykata Supreme e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtimin e jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, kërkesë kjo e parashtruar nga Fazliu, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit.


KPK në mbledhjen e 214-të, me votim unanim ka caktuar prokurorin Besim Kelmendi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.


Kjo zgjedhje e Kelmendit ishte bërë pas përfundimit të mandatit kushtetues shtatë (7) vjeçar të Kryeprokurorit të deritanishëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë më 21 prill 2015.


Më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) votoi unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani.


Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, ku koalicioni i OJQ-ve: IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt si Kryeprokuror dhe se kanë propozuar që të përsëritet konkursi.


Ndaj këtij procesi kanë reaguar Ambasada Britanike, Ambasada Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces.


Ndërsa, presidentja Osmani më 21 prill 2022 kishte pritur në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile, për të diskutuar rreth këtij procesi.


Presidentja Osmani deri më tani nuk ka vendosur për dekretimin ose jo të prokurorit Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa ushtrues i kësaj detyre është Besim Kelmendi. /BetimipërDrejtësi


Comments are closed.