Foto: Laura Hasani
Tash e gati një çerek shekulli, ura mbi lumin Ibër ndan në dy pjesë Mitrovicën – jugun me shumicë shqiptare dhe veriun me shumicë serbe.
Mbi urë, prej vitesh, nuk mund të kalojnë mjetet motorike, pos këmbësorëve.
Por, si erdhi deri te bllokimi i saj?
Barrikadat e para në këtë urë janë vënë në vitin 2011 nga ana e serbëve lokalë. Qëllimi ka qenë t’i kundërvihen shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri.
Në vitin 2014, ato barrikada janë zëvendësuar me gardhe betoni e me pemë, të cilat autoritetet vendase i kanë quajtur “Park i Paqes”.
Ky park është hequr në vitin 2016 – pas së cilës gjë është menduar që ura të hapet për qarkullim.
Në të njëjtin vit, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për një plan të ri zbatimi, qëllimi i të cilit ka qenë tejkalimi i mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme të konkluzioneve të mëparshme.
Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës është menduar të bëhej në janar të vitit 2017.
Mirëpo, puna për rivitalizimin e urës ka përfunduar në qershor të vitit 2018. Në këtë projekt janë investuar 1.5 milion euro.
Hapja e urës kryesore për trafik është paraparë edhe me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në kuadër të të ashtuquajturit “rivitalizim i urës”. Kjo marrëveshje është arritur nga Kosova dhe Serbia në vitin 2014, me qëllim heqjen e barrikadave dhe funksionalizimin e urës.
Në fund, ura vazhdon të mbetet e mbyllur për mjete motorike dhe e hapur vetëm për këmbësorë. /REL
Comments are closed.