Take a fresh look at your lifestyle.

Vazhdojnë kundërshtimet për ndryshimin e emrit të UP-së – Lajmet e fundit



Vazhdojnë kundërshtimet për ndryshimin e emrit të UP-sëFoto: Arkiv




Ndërrimi i emrit të UP-së është një propozim që e ka dhënë rektori i këtij universiteti, Qerim Qerimi. Sipas tij, arsyeja e ndërrimit është për shkak të ngatërrimit të emrit në arenën ndërkombëtare.


“Po e shqyrtojmë rikthimin e emrit origjinal që ka pasur përpara ndryshimit të fundit të statutit, pra Universiteti i Prishtinës. Është edhe një universitet në Mitrovicë, në gjuhën serbe, që po ashtu e pretendon emrin Universiteti i Prishtinës dhe kjo ka krijuar konfuzion”, kishte thënë rektori për media.Për këtë propozim pati shumë reagime, madje për ta kundërshtuar, në fillim të muajit maj është zhvilluar një aksion simbolik para rektoratit. Ky aksion u organizua nga fondacioni “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me disa shoqata tjera.


Në këtë aksion kishte marrë pjesë edhe profesori Bujar Dugolli. Ai tha se figura e Hasan Prishtinës është një figurë e ndritur që nuk ka mundur ta kontestojë askush.


“Nuk mund të largohen emrat e patriotëve e intelektualëve, që tërë jetën e kanë shkrirë për atdheun”, tha ai.


Për nismën e rektorit Qerimi, sot ka reaguar edhe politologu Bardhyl Mahmuti. Ai ka thënë se përpjekja për ndërrimin e emrit është absurdi më i madh.


“Përpjekjet që nëpërmjet ndryshimeve të statutit të Universitetit të Prishtinës t’i hiqet “Hasan Prishtina” nga emërtimi i tij me arsyetim se gjoja krijon pasaktësi për shkak se një universitet i krijuar nga strukturat kriminale të instaluara në qytetin e Mitrovicës nga Sllobodan Millosheviqi mban emrin “Universiteti i Prishtinës” është absurdi më i madh që ka prodhuar ndonjëherë udhëheqja e institucionit më të lartë arsimorë në Kosovë”, ka shkruar Mahmuti.


Mahmuti ka thënë se duhet të delegjitimohet universiteti ilegal në Veri.


“Në vend të mobilizimit të gjithanshëm të institucioneve shtetërore dhe universitare për delegjitimimin e plotë të universitetit ilegal në veri të vendit, del propozimi që nga emërtimi i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina të hiqet emri i njërës nga figurat më të shquara të historisë kombëtare shqiptare, që është sinonim i shtetësisë sonë”, ka shkruar ai.


Ndërkaq nipi i Hasan Prishtinës, Mehmeti njëherit drejtor i Fondacionit “Hasan Prishtina”, ka thënë se kanë ardhur për ta kundërshtuar heqjen e emërtimit të Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës.


Ai ka deklaruar se nisma e rektorit Qerimi duhet të përfundojë me largimin e tij.


“Arsyetimi i rektorit se kjo çështje shkakton konflikt apo shkakton probleme në rangimin ndërkombëtar të punimeve shkencore është i pa bazë. Lidhur me këtë argumentim unë jam duke u marrë prej vitit 2013 kur rektori e ka shfaqur këtë indinjatë, këtë pakënaqësi të emërtimit…pra rektorit sot kemi ardhë me i thënë stop, mos na prek Hasan Prishtinën…një nismë e një rektori të porsazgjedhur duhet të përfundoj me largimin e tij sepse e ka nis mbrapsht reformën. Reformat rrënjësore janë të nevojshme por duhet të nisin mbarë dhe jo me heqjen e emrit tij“, tha ai.


Mahmuti tha se është e rrezikshme dhe e dëmshme ideja për ndërrimin e emrit të UP-së.


Sot gjatë ditës, Gazeta Express ka tentuar të marrë një prononcim nga rektori Qerimi, por nuk i është përgjigjur telefonatave të redaksisë./express


Comments are closed.