Deputetja e LDK-së: Kam informacione se Sveçla po ndërhyn në pozitat kyçe në Policinë e Kosovës – Lajmet e fundit
Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka deklaruar se komentet e Albulena Haxhiut mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për KPK-në janë të papranueshme.
Bunjaku-Rexhepi tha se për momentin në Kosovë vetëm Gjykata Kushtetuese nuk është e kapur nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Komentet e ministres Albulena Haxhiu mbi vendimin e GJK-së për Ligjin për KPK-në për mua realisht janë të papranueshme. Po e njëjta gjykatë po të njëjtit njerëz, kanë rrëzu qeverinë ‘Hoti’. Ne si LDK edhe pse kemi pasur kryeministrin nuk e kemi kundërshtu Gjykatën Kushtetuese. Falë zotit që e kemi një gjykatë dhe një monitoruese të proceseve dhe për mua janë të papranueshme edhe diskutimet e ministres edhe diskutimet e të gjithë atyre që e komentojnë vendimin e kësaj gjykate. Ligji për Këshillin Prokurorial d.m.th. që ministrja me e kap edhe atë institucion, tani për momentin në Kosovë vetëm Gjykata Kushtetuese nuk është e kapur nga Lëvizja Vetëvendosje. Të gjitha institucionet e tjera janë të kapura nga Lëvizja Vetëvendosje”.
Deputetja e LDK-së tha se ka informacione se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po ndërhyn në pozitat kyçe në Policinë e Kosovës.
“Hiç më larg se dje kam informacion se zoti Sveçla në stacionet e Policisë po hyn e del kur të dojë dhe po ndërhyn në pozitat kyçe në Policinë e Republikës së Kosovës. Nëse kemi një dikaster që ne duhet me u krenu janë Policia e Republikës së Kosovës sepse gjithmonë e kanë kryer punën me ndershmëri. Nëse zoti Sveçla ka të drejtë me ndërhy direkt në pozita kyçe, ky është një dëm i madh që i bëhet Policisë së Kosovës”, deklaroi ajo në një intervistë për gazetën “Blic”.
Comments are closed.