Take a fresh look at your lifestyle.

Rasti ndaj Pjetër Shalës, tre dëshmitarë s’do të paraqiten fizikisht në sallën e gjyqit

Tre dëshmitarë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës do të japin dëshmitë e tyre përmes video-lidhjes. Autorizimi është dhënë nga trupi gjykues i cili ka urdhëruar Zyrën Administrative që të bëjë përgatitjet e nevojshme për respektimin e masave mbrojtëse. Gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) do të vazhdojë nga 1 deri më 5 maj.

Sipas gjykatës, dhënia e dëshmisë përmes video-lidhjes do t’u mundësojë dëshmitarëve të flasin pa ankth.

Trupi gjykues ka vlerësuar që në këtë mënyrë do të përmirësohet cilësia e dëshmisë së tyre.

Më 14 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS) ka dorëzuar versionin publik të redaktuar të dosjes paraprake të saj.

Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të ZPS-së, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Dëshmitaret kanë pretenduar se familjari i tyre ishte kidnapuar dhe mbajtur për gati dy javë në një fabrikë metali në Kukës.

Në krejt këtë, ata kanë thënë se ishte i përfshirë Pjetër Shala, i cili aktualisht ndodhet në bankën e të akuzuarit.

Ai po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Comments are closed.