Take a fresh look at your lifestyle.

Sot betohen kryetarët e rinj të tri komunave në veri – Lajmet e fundit



Sot betohen kryetarët e rinj të tri komunave në veriMinistri Elbert Krasniqi me kryetarët e rinj të katër komunave në veri




Sot do të mbahet ceremonia e betimit të tre kryetarëve komunalë në veri, atij në Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan.


Ceremonia e betimit të kryetarëve në veri do të nisë në ora 10:00.


Në ora 10:00 do të betohet kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci në shkollën e fshatit Boletin, ndërkaq po në ora 10:00 do të betohet kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri në Çabër.


Në ora 13:00 do të betohet kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi në Bistricë.


Një ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se procesi i betimit të kryetarëve në veri të vendit është normal pas mbajtjes së zgjedhjeve, gjersa tha shantazhet dhe linçimet që ka bërë Beogradi zyrtarë ndaj qytetarëve serbë në Kosovë nuk janë normale.


“U bënë një muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve në Komunën Veriore të Mitrovicës, atë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit. Nuk pati asnjë incident. Ishin të qeta dhe paqësore. Frikësimet, linçimet, trysnia dhe shantazhi nga Beogradi zyrtar, ndikoi drejtpërdrejt në daljen e ulët të qytetarëve tanë serbë në këto zgjedhje. Vota e munguar, ishte mungesë e vullnetit të lirë, jo shprehje e vullnetit politik. Fushata të tilla kërcënuese të Beogradit zyrtar ndaj serbëve lokalë, veçanërisht në katër komunat tona në veri të vendit, janë të shpeshta dhe të vazhdueshme. Por, veç pse diçka ndodh shpesh dhe vazhdimisht, nuk do të thotë që është normale dhe e pranueshme”, ka thënë ai.


I pari i ekzekutivit theksoi se betimi i tri kryetarëve të rinj në tri komunat veriore do të bëhet në ndërtesa publike.


“Të premten e kaluar, kryetari i zgjedhur i Komunës Veriore të Mitrovicës, Erden Atiq, bëri betimin e tij e kjo është normale, pas një procesi zgjedhor. E nënkryetare e komunës u emërua Katarina Axhançiq, që vjen nga radhët e komunitetit serb. Edhe kjo është normale për këtë komunë. Dje u emëruan katër drejtorë, një serb, një boshnjak, një egjiptian dhe një shqiptar, e prej tyre dy gra. E ky është progres, që duhet normalizuar. Në ndërtesa publike në këto komuna, do të mbahen seancat konstituive dhe betimi edhe i tre kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit”, theksoi Kurti, shkruan Telegrafi.


Ndryshe, të premten e 19 majit ka marr detyrën kryetari i ri i veriut të Mitrovicës, Erden Atiq.


Comments are closed.