Në garë për postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës janë katër persona. Kështu ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se aktualisht kandidatët janë në fazën intervistuese. Kurse ekspertë të sigurisë thonë se zvarritja e procesit mund të jetë bërë për qëllime politike.
Po bëhen gati gjashtë muaj që kur Policia e Kosovës ka mbetur pa drejtor të përgjithshëm, dhe ky institucion i sigurisë po udhëhiqet nga zëvendësdrejtori i Policisë, Fehmi Hoti.
Për postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë tashmë kanë aplikuar katër persona. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“ Jemi në proces, po zhvillohen intervistat, janë katër kandidatë”, tha ministri Sveçla.
Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë se strukturat e policisë janë efikase edhe në këtë situatë. Policia ka kapacitete t’i kryejë punët operative, megjithatë, menaxhimi duhet të jetë nga një kupolë komanduese. Ai thekson se zvarritja e procesit për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Policisë po bëhet për qëllime politike.
“Kjo zvarritje bëhet për qëllime politike. Është papërgjegjësi e personave që kanë kompetencë për ta bërë këtë punë, për arsye se, jo për faktin se nuk janë efikase strukturat e policisë, mirëpo edhe për shkak të prestigjit. Nuk është se ku me dit çfarë procedure për të emëruar një drejtor policie, mirëpo zvarritjet bëhen për shkaqe politike”, tha Kajtazi .
Ish drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në fund të muajit gusht kishte dhënë dorëheqje pasi një vajzë 11-vjeçare dyshohej se ishte përdhunuar nga pesë persona. Në vend të tij, kryeministri Albin Kurti kishte caktuar zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.
Comments are closed.