Take a fresh look at your lifestyle.

Bislimi godet Rakiqin: S’e ka kërkuar asnjë projekt për të mirën e serbëve – Lajmet e fundit



Bislimi godet Rakiqin: S’e ka kërkuar asnjë projekt për të mirën e serbëveFoto: Laura Hasani




Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur sot në një organizim të Zyrës së BE-së për takimin që ka pasur dje me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak.


Bislimi ka thënë se ka dëgjuar shumë dezinformata lidhur me vizitën e tij në Bruksel, përfshirë gjoja takimin me Petar Petkovic dhe arritjen e marrëveshje për targat.


Bislimi ka thënë se s’është takuar me Petkoviqin që nga muaji korrik, shkruan KoSSev, trasnmeton Express.


Bislimi ka treguar se “ka elemente të diskutimit për mundësitë e daljes nga kriza, por s’ka marrëveshje”.


Kryenegociatori kosovar ka folur sot edhe për zgjedhjet në katër komunat në veri, duke u pyetur nëse ato do të jenë legjitime.


“Rrjedhimisht, kur mbahen zgjedhjet në veri, Besnik Bislimi nuk ka të drejtë vote sepse nuk i përket atij komuniteti.Aty votojnë vetëm qytetarët e asaj pjese dhe mendoj se qytetarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kanalizimit të vendimmarrjes në nivel lokal përmes zërit të tyre. Ky është instrumenti më i fortë demokratik me të cilin ndëshkon apo shpërblen dikë”, ka thënë Bislimi.


Duke folur për këtë çështje, ai ka përmendur edhe daljen e Listës Serbe nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe vendimit të tyre për të bojkotuar zgjedhjet e ardhshme lokale në katër komunat veriore.


Ai tha se zgjedhjet në këto katër komuna i konsideron si një “mundësi të artë” që serbët të zgjedhin mekanizma që realisht promovojnë interesat e komunitetit, e jo siç tha ai, të klaneve të caktuara.


Bislimi ka thënë se për sa kohë është pjesë e Qeverisë asnjëherë s’është takuar me Goran Rakiqin, ndërkohë ka shtuar se Lista Serbe s’ka bërë asnjë kërkesë për ndonjë projekt që mbron apo avancon interesat e serbëve në Kosovë.


“Lista Serbe ka vite që është pjesë e institucioneve, unë kam qenë dhe jam zëvendëskryeministër, por me zotin Rakiq kam zero takime, zero kërkesa për projektet e tij që mbrojnë apo avancojnë interesat dhe zero iniciativa Listës Serbe në Kuvend. Mendoj se kjo është një mundësi e artë që ju të zgjidhni ato mekanizma që realisht promovojnë interesat e komunitetit, dhe jo interesat e klaneve të caktuara, politikëbërësve në Beograd”, ka thënë Bislimi.


Numri dy i Qeverisë ka folur edhe për pretendimet se kinse pjesëtarë të Policisë së Kosovës e kanë sulmuar fizikisht një drejtues të një OJQ në veri.


“Është e gabuar nëse nxjerrim konkluzione për një rast që nuk ka konfirmim. Ajo që di me siguri janë dy gjëra: Së pari, policia e Kosovës ka kontaktuar menjëherë policinë kufitare në anën serbe pasi është informuar për të kuptuar nëse ka pasur shqetësime të shprehura nga z. Miodrag pas kalimit të kufirit. Ata thanë se ai nuk ka raportuar asgjë. Ne e dimë që njësitë policore që kanë shkuar në veri kanë urdhër të rreptë që të jenë shumë të drejtë në trajtimin e çdo qytetari sepse dimë shkallën e dezinformimit dhe manipulimit. Roli i policisë në veri është i madh dhe qytetarët mund të reagojnë në atë mënyrë që situata të tensionohet”, ka thënë Bislimi.


Ai më pas ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të gatshme të marrin të gjitha masat, por vetëm nëse konfirmohen raste të tilla.


Comments are closed.