Take a fresh look at your lifestyle.

Gjermania harton një projekt për t’i ndihmuar të pastrehët për vapën ekstreme – Lajmet e fundit



Gjermania harton një projekt për t’i ndihmuar të pastrehët për vapën ekstreme


Bota
July 22, 2022 – 23:22

2000-6500 vetë rezultojnë si të pastrehë në kryqyetin e Gjermanisë, Berlin. Duke mos pasur një çati mbi kokë, ata janë kategoria më vulnerabël gjatë këtyre ditëve me temperatura ekstreme.


Gjatë së mërkurës (20.07), temperatura në Berlin arriti rekordin prej 39 gradë Celsius. Teksa shumë berlinezë ndezën ventilatorët dhe qëndruan në hije, ata pa një strehë mbi kokë patën shumë pak mundësi për gjetjen e ambienteve të freskëta, me qëllim shmangien e rreziqeve shëndetësore që vijnë nga vapa ekstreme. Për shembull, Liljana dhe miku i saj, Elias.   “Dukem si turiste” – thotë Liljana, teksa rregullon kapelen e saj prej kashte. 


Dy miqtë, me origjinë bullgare, ishin ulur nën një hije, duke pritur të shkonte ora 10 e paradites, aty ku ka marrë formë një projekt i ri, në zonën Schöneberg të Berlinit. Qendra “Hitzehilfe” (Ndihma për të përballuar të nxehtit ekstrem) është e hapur deri në orën 8 të mbrëmjes dhe u ofron njerëzve që janë në kërkim të një vendi të freskët, mundësinë e një dushi dhe një “sy gjumë”, në një nga 30 shtretërit e vënë në dispozicion. 


Për Liljanën, një dush i ftohtë është shërbimi më i mirë që ofron kjo strehëz ditore. “Kur jeton rrugëve, mund të sajohesh disi me ushqim dhe pije. Por pa një dush dhe vend për të fjetur, jeta duket shumë e vështirë për t’u përballuar” – thotë ajo. 


Gjatë pandemisë, 31-vjeçarja humbi punën dhe apartamentin. “Jam e pastrehë prej më shumë se një viti” – shpjegon Liljana. “Fillimisht punoja në rrugë, si prostitutë, por më pas hoqa dorë”. 


Elias thotë se s’mund të punojë, për shkak se ka humbur të gjithë dokumentet identifikuese. “Gjithsesi kam bërë ca hapa para me dokumentacionin që më duhet” – shpjegon ai, para se të drejtohet nga dhoma ku mund të flejë për ca kohë. Në strehëzën “Hitzehilfe”, pjata me shalqi të sapoprerë janë gati për t’u konsumuar ndërsa në një qoshe muri gjen arka të tëra me shishe uji. Në anën tjetër të dhomës, në një tavolinë të gjatë, janë reshtuar shishe që mund të rimbushen gjatë ditës, krem mbrojtës kundra diellit, kapele, shtroje gjumi në formë çante, produkte higjienike, maska për t’u mbrojtur nga Covid-19 dhe rroba të lara. Aty nuk mungojnë as detergjentë lavanderie. 


Senati i Berlinit është financuesi i këtij projekti-pilot, që kap vlerën e 106 mijë Eurove. Nisma e shoqatës “IB Berlin Brandenburg”, ka si qëllim të mbajë larg vapës ekstreme të pastrehët, të paktën për disa orë gjatë ditës. 


E njëjta godinë, e vënë në dispozicion nga zona e Schöneberg, zakonisht përdoret gjatë muajve të dimrit për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve nga i ftohti ekstrem. Nisma “Kältehilfe” (Ndihmë për të përballuar të ftohtin ekstrem), ofron një strehë të ngrohtë, veçanërisht gjatë natës. Por në vapën ekstreme, orët e ditës janë më të nevojshme. 


Katja Kipping, politikane e së Majtës dhe senatore për Integrimin, Punën dhe Çështjet Sociale, tha të mërkurën (20.07) se e gjithë shoqëria duhet të ndërgjegjësohet për rreziqet që vijnë nga temperaturat ekstreme. “Shumë banorë të Berlinit kanë në telefonat e tyre kontaktin e ‘Kältehilfe’, në rastin se gjatë dimrit shohin njerëz në nevojë. Por ata nuk janë të vetëdijshëm për seriozitetin e ekstremit tjetër të motit” – theksoi ajo. 


“Deri tani, projekti është pritur shumë mirë” – tha një punonjës social, Artur Keil. Sipas tij, shumica e njerëzve që kanë ardhur në qendër janë po ata që kanë nevojë për të edhe gjatë dimrit. 


Sfida e temperaturave ekstreme 


“Ajo çka kemi mundur të vërejmë në ditët e para është se shumica kërkojnë thjesht një vend për të fjetur rehat, gjë që është thuajse e pamundur jashtë, në ato temperatura” – thotë Janette Werner, drejtuese rajonale e shoqatës “IB”.  


Në bisedë me DW, ajo thekson se përdorimi i tepruar i alkoolit dhe drogërave nga këta njerëz, e shton rrezikun e vapës. “Pasi dehen ose drogohen, për shembull, njerëzit nuk janë në gjendje të kuptojnë sa vapë bën jashtë. Ata digjen nga dielli, dehidratohen dhe në rastin më të keq, humbin jetën”. 


Përveç ndihmave të nevojshme, punonjësit socialë ofrojnë edhe këshillim dhe mbështetje. “Kur këta njerëz vijnë këtu rregullisht, ata nisin të kenë besim dhe fillojnë e rrëfehen” – thotë Werner.  


Diku tjetër në Berlin, 23 punonjës të nismës “Karuna”, janë në terren duke shpërndarë ujë, krem mbrojtës, syze dielli dhe produkte higjienike për të pastrehët. Ekipi ndihmon që nga viti 2020 dhe ofron për këtë kategori edhe “autobusë freskues”, ku njerëzit mund të qëndrojnë përkohësisht e të marrin veten nga vapa e tepërt. 


“Nëse sheh një të pastrehë, sidomos gjatë këtyre ditëve të nxehta, gjëja më e mirë që mund të bëhet është ta pyesësh nëse ndihet mirë” – sqaron Werner. “Nëse nuk ndihet mirë, telefono shërbimet e urgjencës. Dhe mbani parasysh se kushdo do të ishte i lumtur t’i ofrohej një shishe me ujë në këto kohë”.  


Projekti pilot veror “Hitzehilfe” do të vijojë deri në fund të muajit shtator, kur shoqata do të vlerësojë se çfarë shërbimesh nevojiten më së shumti. 


Comments are closed.