Take a fresh look at your lifestyle.

Hyn në fuqi vendimi për ndalimin e qarkullimit të trotineteve elektrikë

Sot ka hyrë në fuqi vendimi i Komunës së Prishtinës për ndalimin e qarkullimit të trotineteve elektrikë, biçikletave elektrike dhe motoçikletave elektrike në sheshe dhe në të gjitha hapësirat publike ku ka frekuencë të lartë të këmbësorëve. Ky vendim është mirëpritur nga qytetarët.

Ka kohë që qarkullimi i qytetarëve me trotinete elektrike nëpër sheshe dhe hapësira më shumë të frekuentuara nga këmbësorët, është bërë shqetësim për qytetarët. Ndonëse konsiderohet se e kanë lehtësuar transportin rrugor, trotinetet elektrikë kanë shënuar një rritje të aksidenteve të cilat nuk kanë qenë të lehta. Për këtë, Komuna e Prishtinës ka ndaluar qarkullimin e tyre nëpër sheshe dhe kjo është mirëpritur nga qytetarët. Ata than për Radio Kosovën se është një vendim i qëlluar.

Qytetarët: “Vendim shumë i qëlluar, sepse rritet siguria për fëmijët, të rriturit dhe pleqtë. Vendim më të duhur s’ka. Nuk është në rregull me vozit në shesh, bile është vendim i vonuar, sepse i kanë rrezikuar qytetarët. Këta të rriturit me trotinete po vozisin shumë shpejt. Primare është siguria e fëmijëve. Po vozisin pa kontroll. Shumë vendim i mirë!”.

Megjithatë, jo të gjithë mendojnë se duhet të ndalohet tërësisht qarkullimi i trotineteve në shesh.

“Vendim i duhur deri diku, sepse ekziston mundësia që t’ua rregullojnë shtegun për trotinet, që ata të kenë mundësi të lëvizin në rrugë anësore”, ka thenë një qytetare.

Florian Dushi, drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës ka sqaruar se në cilat zona është i ndaluar qarkullimi i trotineteve.

“Fjala është për sheshet qendrore të Prishtinës dhe për hapësirat e tjera të cilat si natyrë janë të ndërtuar dhe si mënyrë se si shfrytëzohen, janë të dedikuar ekskluzivisht për këmbësorë”, ka thënë Dushi.

Megjithatë, ndonëse jo në shesh, nëpër trotuare në rrugët në qendër të Prishtinës është parë se kanë qarkulluar trotinete, përkundër vendimit ndalimin e tyre.

Një vendim i tillë është marrë për shkak të mungesës së një rregulloreje të veçantë. Zyrtarët të Komunës së Prishtinës kanë thënë se po punojnë për hartimin e një rregulloreje që rregullon këtë çështje, e cila shumë shpejt pritet të dalë në dëgjim publik.

Comments are closed.