Take a fresh look at your lifestyle.

Konjufca priti një grup të rinjsh nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me deputetët Fridon Lala dhe Agon Batusha, priti një grup të rinjsh nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, organizuar nga organizata VoRAE.

Gjatë bashkëbisedimit, kryeparlamentari Konjufca tha se vetëm duke qenë të gjithë së bashku, duke i bashkuar forcat për t’i arritur qëllimet e përbashkëta, Kosova mund të jetë më e sigurt dhe mund të ecë më shpejt drejt rrugës euroatlantike.

Po ashtu, kryetari Konjufca tha se shteti i Kosovës në bazamentin e vet e ka një vlerë shumë të çmueshme, e kjo vlerë është diversiteti i popullit.

“Qëllimet tona të përbashkëta janë shumë më të rëndësishme se sa dallimet që mund t’i kemi gjatë jetës së përditshme. Pra, kjo është bota e shekullit XXI dhe kështu duhet ta ndërtojmë Kosovën”, tha Konjufca.

Duke i falënderuar për angazhimin e tyre në shoqëri, kryetari Konjufca premtoi se do të jetë  partner në çdo qëllim dhe përpjekje fisnike që kanë si qytetarë të Kosovës.

Më pas, edhe deputetët Fridon Lala dhe Agon Batusha bashkëbiseduan me të rinjtë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. 

Comments are closed.