Take a fresh look at your lifestyle.

Kuvendi i Shqipërisë miraton Rezolutën që dënon gjenocidin në Srebrenicë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot në seancë plenare projektrezolutën për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në prezantimin e kësaj projektrezolutë në emër të grupit të PS deklaroi se masakrat e ndodhura në Srebrenicë janë akte të gjenocidit dhe se të njëjtat duhet të quhen me emrin e vërtetë gjenocid.

“Mijëra burra të ekzekutuar dhe të varrosur në varreza masive, qindra burra të varrosur për së gjalli, e po aq qindra të gjymtuar e therur, fëmijë të vrarë para syve të nënave të tyre, një gjysh i detyruar të hante mëlçinë e nipit të tij. Këto janë vërtet skena nga ferri, të shkruara në faqet më të errëta të historisë njerëzore, do të deklaronte Gjykatësi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Fouad Riad, ndërsa ngrinte aktakuzën penale të Srebrenicës kundër Ratko Mladic dhe liderit serb të Bosnjës gjatë luftës Radovan Karadzic, më 16 nëntor 1995”, u shpreh Balla.

Ndërsa ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në fjalën e saj në Kuvend ftoi deputetët e opozitës që të bashkohen me vota dhe të miratojnë projektrezolutën për gjenocidin serb në Srebrenicë.

Xhaçka përgëzoi kolegët për këtë nismë për të shpallur 11 korrikun – Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

“Kjo është një nismë që mbështetet në rezolutat e Parlamentit Evropian për Përkujtimin e këtij gjenocidi dhe në vlerësimet e Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës të Këshillit të Evropës të 22 marsit 2017. Por mbi të gjitha kjo është një nismë që vjen si një kulmim i qëndrimeve të kahershme e të pakompromis të Shqipërisë në dënim të këtij krimi por edhe të krimeve të tjera kundër popullsive civile në Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë”, deklaroi ministrja.

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, në fjalën e saj tha se parlamenti ynë duhej të kishte miratuar një rezolutë të tillë shumë kohë më parë.

Tabaku u shpreh se njëzet e shtatë vite më parë, nën drejtimin e Ratko Mlladiç, forcat serbe në Srebrenicë kryen një nga aktet më brutale dhe kriminale në historinë e trishtë dhe jo pak të errët të Ballkanit.

Edhe Presidenti i Bosnjë-Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç falënderoi sot Kuvendin e Shqipërisë në një videomesazh në seancën ku u diskutua projektrezoluta për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Në fjalën e tij, presidenti i Bosnjë-Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç ka falënderuar deputetët shqiptarë për miratimin e rezolutës së gjenocidit të Srebrenicës.

“Bëhen 27 vite nga gjenocidi në Srebrenicë, krimi i madh në tokën evropiane pas Luftës së Dytë Botërore. Vetëm për disa ditë, pas 11 korrikut 1995, njësitë e ushtrisë dhe policisë së Republikës Srpska vranë më shumë se 8000 burra dhe djem”, tha ai.

Pas paraqitjes së rezolutës së propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, kryetarja e Kuvendit ftoi të pranishmit të mbajnë një minutë heshtje në nderim të viktimave të masakrës së Srebrenicës.

Në Rezolutën për Srbrenicën, nismë e PS-së thuhet se,

“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë konfirmon qëndrimin e Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë nga forcat serbe të Bosnjës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, nxit fenomenin e pandëshkueshmërisë ndaj krimeve të luftës si dhe shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan ne Sreberenice, te mbijetuarave dhe familjeve te tyre, por edhe ndaj rreth 10 mije shqiptareve te vrare gjate spastrimit etnik ne Kosove dhe 20 mije grave te dhunuara nga regjimi serb i Slobodan Miloshevicit;

Shpreh dhimbjen e thelle për viktimat dhe traumat njerëzore te shkaktuara nga gjenocidi ne Srebrenicë, si dhe mirëkuptimin e plote dhe simpatinë e sinqerte ndaj tere te lënduarve gjate luftës së përgjakshme ne Bosnje dhe Hercegovine;

Dënon fuqimisht çdo prirje dhe veprim per te mohuar publikisht me qellim ose jo, gjenocidin e kryer ne Srebenicë, fshehjen e motiveve, lavdimin e autoreve, ideatorëve dhe mbështetësve te ketij gjenocidi, si dhe konsideron te papranueshme e tejet te rrezikshme vazhdimin dhe pershkallezimin e retorikes politike nacionaliste, nxitjen e urrejtjes etnike si pasoje e mohimit te gjenocidit te kryer ne Srebrenice, masakrave dhe krimeve te tjera kunder njerezimit kryer ne te gjithë hapesiren e ish Jugosllavise nga disa individe, grupime, e aktore politike e mediatike brenda e jashte rajonit te Ballkanit;

Bashkohet me vleresimin se qendrimet e kandidateve per anetaresim ne BE duhet te perputhen plotesisht jo vetem me acquis te BE-se, por edhe me Politiken e Perbashket te Jashtme dhe te Sigurise te BE-se, ne linje me ato parime e vlera te vendosura nga Bashkimi Evropian dhe te gjitha vendet demokratike, sipas te cilave mohimi dhe mosdenimi publik i gjenocidit ne Srebenice eshte i papajtueshem me vlerat dhe aspiratat evropiane;

U ben thirrje te gjitha vendeve anetare te Organizates se Kombeve te Bashkuara dhe organeve nderkombetare e kombetare te drejtesise te rrisin angazhimin dhe përpjekjet e tyre serioze per ndjekjen penale dhe ndeshkimin e krimineleve te luftes dhe bashkepunetoreve te tyre pergjegjes per gjenocidin dhe krimet e tjera te luftes. U ben thirrje Bashkimit Evropian, NATO-s dhe secilit prej vendeve te tyre anetare, te

punojne me intensitet per te pershpejtuar proceset e zgjerimit, si nje garanci perkonsolidimin e vlerave demokratike, paqes dhe sigurisë ne rajonin e Ballkanit Perëndimor, Evrope e me gjere.

Shpreh mbështetjen e plote për qëndrimet, veprimet dhe masat e marra nga Qeveria shqiptare ne mbeshtetje te parimeve mbi te cilat eshte ndertuar siguria evropiane, dhe rendi global i marredhenieve midis shteteve.

Duke vleresuar dhe perkrahur angazhimin serioz, profesional e ne fryme te larte pergjegjesie te Qeverise shqiptare ne permbushje te rolit te Shqiperise si anetare jo e perhershrne e Keshillit te Sigurimit te Kombeve te Bashkuara per periudhen 2022-2023, i kerkon Qeverise qe: Te vazhdoje angazhimin e saj ne mbrojtje te parimeve dhe normave te se drejtës nderkombetare dhe forcimin e llogaridhenies per shkeljet e renda te saj, ne bashkerendim te ngushte me te gjitha vendet aleate dhe partnere te Keshillit te Sigurimit, BE, OSBE dhe Keshillit te Evropes;

Të nderoje viktimat e gjenocidit ne Srebrenice dhe, duke iu referuar vendimit te Parlamentit Evropian, te shpalle daten 11 korrik si Ditën e Përkujtimit te gjenocidit ne Srebrenicë;

Te jape tere kontributin e saj ne mbështetje te thellimit te reformave dhe proceseve demokratike për konsolidimin e një shoqerie ku sundon ligji, drejtësia dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor, fryma e bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë se mire dhe integrimit evropian, si rruga e vetme për të kapërcyer urrejtjen dhe ndarjet, për të promovuar drejtësinë mbi bazën e të cilës ndërtohet paqja, siguria dhe pajtimi mes popujve ne rajon, Evrope e me gjere.

Të punojë pareshtur për forcimin e marrëdhënieve te fqinjësisë se mire me vendet e tjera te Ballkanit Perëndimor, ne frymën e respektit reciprok, parimeve te barazisë, frymës se pajtimit dhe mirëkuptimit per te ndërtuar një te ardhme të përbashkët te drejte, duke forcuar lidhjet politike, ekonomike dhe tregtare mes vendeve si dhe kontaktet mes njerëzve, ne te mire te paqes, sigurisë, përparimit ekonomik e shoqëror për çdo vend dhe rajonin ne tërësi”.

Comments are closed.