Take a fresh look at your lifestyle.

Osmani pret vendimmarrje për liberalizim të vizave, Michel kërkon progres në dialog

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim sot, presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel.

Pas diskutimeve mbi një orë, presidentja Osmani kërkoi nga Michell, vendimmarrje për liberalizimin e vizave për Kosovën, mirëpo ky i fundit nuk dha shumë shpresa, pasi përsëriti frazën se vendimi për një gjë të tillë është i shteteve anëtare veç e veç.

Presidenti i KE-së  u fokusua më shumë te dialogu Kosovë-Serbi, për çka insistoi në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara me Serbinë. Ndërkohë i kërkoi Kosovës të përfshihet edhe në iniciativat rajonale për zbatimin e tregut të përbashkët rajonal.

Në konferencën e përbashkët për medie, e para e shtetit, Vjosa Osmani tha se nuk e di nëse liberalizimi i vizave mund të ndodhë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së më 23 qershor, pavarësisht angazhimit maksimal të Kosovës.

“Së pari dhe kryesorja është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Ky proces për fat të keq është stërvonuar, pavarësisht përmbushjes të gjitha kritereve nga Republika e Kosovës. Duhet të ketë angazhim aktiv në mënyrë që gjitha shtete anëtare të votojnë pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Deri tani ka ekzistuar një diskriminim i qartë ndaj popullit tonë, padrejtësi e thellë, andaj ne do të vazhdojmë të jemi të zëshëm deri të largohet pengesa e fundit në këtë drejtim… Asnjë arsye që ky proces të bllokohet nuk ka dhe as nuk ka pasur as këta katër vjet. Ne do të vazhdojmë të punojmë me shtetet anëtare deri në momentin që të merret një vendim. Mirëpo nëse kjo do të ndodhë më 23 qershor, apo ndonjë datë tjetër është vullnet individual i shteteve anëtare të BE-së”, tha ai.

Lidhur me liberalizimin e vizave, presidenti i KE-së tha se javën e ardhshme është mundësia për të shfaqur unitetin e BE-së, mirëpo çdo vendimmarrje është i shteteve anëtare.

“Kemi diskutuar edhe liberalizmin e vizave, kam dëgjuar argumentet me kujdes. Mirëpo e dini se shtetet anëtare të BE-së duhet të vendosin një nga një… Në javën e ardhshme kam mundësinë të takojë 27 liderët e BE-së dhe të do të kemi mundësinë të shfaqim unitetin tonë në vendimet politike dhe të riafirmojmë për vlerat tona të përbashkëta”, tha ai.

Sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, presidentja Osmani tha se i njëjti duhet të bëhet vetëm mbi bazën e njohjes reciproke.

“Për Kosovën, dialogu me Serbinë nuk është vetëm një kërkesë e komunitetit ndërkombëtar, por është proces jetik që i shpien dy vendet në Bashkimin Evropian. Megjithatë, ashtu siç e kemi thënë nga fillimi, do të them edhe sot se procesi duhet të përqendrohet në njohje reciproke, si e vetmja zgjidhje që siguron paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Dje Parlamenti Evropian, po ashtu ka konfirmuar se procesi i dialogut duhet të bazohet në njohjen reciproke. Prandaj shpresoj se ky vullnet të reflektohej edhe më tej në shtetet anëtare. Bashkimi Evropian nuk do të duhej të lejonte që dialogu të shndërrohet në instrument të Serbisë për të minuar integrimin e Kosovës, qoftë në mekanizma rajonal, qoftë në ato evropian. Tek e fundit një gjë e tillë nuk lejohet as në marrëveshjen e arritur në ndërmjetësimin e BE-së” , theksoi Osmani.

Ndërsa, presidenti Michel, përveç që kërkoi progres në dialog, tha se duhet të implementohen të  gjitha marrëveshjet e arritura, mes Kosovës dhe Serbisë.

“Angazhimi i fortë i Kosovës duhet të jetë i fokusuar në përparimin e dialogut Prishtinë-Beograd. Duhet po ashtu të implementohen gjitha marrëveshjet e kaluara dhe është koha të shikojmë përpara dhe avancojmë gjitha këto për të mirën e gjithë regjionit”, tha Michel.

Sa i përket synimeve të Kosovës për dorëzim të aplikacionit për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE, Michel tha se ADN-ja e gjithë këtij procesi është sundimi i ligjit.

“E kuptoj që Kosova ka qëllim të aplikojë për anëtarësim në BE. Ky është vendim që merret nga autoritetet kosovare, pastaj fillon procesi nga ana e BE-së. Duhet të mbështetet kjo kërkesë nga shtetet anëtare, ka procedura formale që duhet të mbulohen dhe çështja e sundimit të ligjit është ADN-ja e gjithë këtij procesi”, shtoi ai.

Kreu i njërit prej institucioneve kyçe të BE-së,  i kërkoj Kosovës, po ashtu të përfshihet në iniciativat rajonale për një treg të përbashkët rajonal.

“Dëshiroj që Kosova të marrë pjesë në forumet regjionale të cilat do të forcojnë dhe implementojnë gjitha agjendat për një treg të përbashkët regjional. Do të sjell regjionin tuaj më afër së bashku”, tha ai.

Krahas këtyre, presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, e përgëzoi Kosovën për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe rreshtimin krah vlerave të Bashkimit Evropian.

Comments are closed.