Take a fresh look at your lifestyle.

Për rezolutën kundër raportit të Dick Marty, Pallaska: Shqipëria veproi brenda mandatit të saj – Lajmet e fundit



Për rezolutën kundër raportit të Dick Marty, Pallaska: Shqipëria veproi brenda mandatit të saj




Avokati Dastid Pallaska, i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, tha se me votimin e rezolutës që synon të hedhë poshtë raportin e Dick Martyt, Shqipëria veproi brenda mandatit të vetë në raport me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.


“Përkundër faktit që kjo rezolutë e trajton raportin e Dick Martyt dhe pretendimet e tij për trafikim me organe njerëzore, mendoj se qëllimi kryesor i kësaj rezolute ka qenë që Shqipëria t’i përgjigjet një detyrimi ndërkombëtar që e kishte marrë pas miratimit të raportit të Dick Martyt në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Pallaska.


Pallaska tha se duke qenë se në raportin e Dick Martyt pretendohej se krimet ishin kryer në Shqipëri, Këshilli i Evropës i kishte kërkuar Shqipërisë që të kontribuoj në procesin e hetimit të këtyre pretendimeve.


“Nëse shikohet rezoluta me të cilën është pranuar raporti i Dick Martyt, në fund të rezolutës Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës u bën thirrje tri shteteve, përkatësisht tri apo katër entiteteve, duke u kërkuar atyre që të japin kontributin e tyre për ndriçimin dhe hetimin dhe më pastaj edhe gjykimin e këtyre pretendimeve nëse mblidhen prova kredibile dhe në mesin e atyre shteteve është edhe Shqipëria, kjo për arsye se pretendimet e raportit të senatorit Dick Marty kishin të bënin me krime të cilat pretendoheshin se ishin kryer në territorin e Shqipërisë dhe pas luftës së Kosovës, kjo ishte mbase edhe arsyeja përse ish-kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavi Carla Del Ponte kishte refuzuar t’i ndiqte këto pretendime me arsyetimin se ishin jashtë fushëveprimit territorial dhe kohor të mandatit të saj, i cili ishte i kufizuar me luftën në ish-Jugosllavi”, tha Pallaska.


Pallaska tha se votimi i javës së kaluar në Parlamentin e Shqipërisë nuk ishte favor personal ndaj askujt, por ishte për të konstatuar se në pretendimet e Dick Martyt nuk ka asgjë të vërtetë.


“Dhe siç u pa edhe në rezolutën që u miratua në Shqipëri, Shqipëria bashkëpunoi në tërësi me bashkësinë ndërkombëtare për të mundësuar hetimin e këtyre pretendimeve, madje ndryshoi edhe disa ligje për tu mundësuar hetueseve ndërkombëtarë që të ushtrojnë aktivitete hetimore në territorin e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të papenguar dhe pas sa e sa vitesh normalisht që Shqipëria është e interesuar që Asamblesë Parlamentare t’i raportojë për gjithë atë që i ka bërë, përkatësisht që i ka përmbushur obligimet që dalin nga kjo rezolutë dhe njëkohësisht që të konstatohet që përkundër gjithë këtij hetimi shterues, me një task forcë të pashembullt, u konstatua që nuk kishte asgjë nga këto pretendime”, tha Pallaska. /klankosova


Comments are closed.