Take a fresh look at your lifestyle.

Përparim Rama fajëson qeverinë për anulimin e Festivalit Sunny Hill

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama konsideron se vendimi për anulimin e Festivalit Sunny Hill u shkaktua nga zvarritjet e Qeverisë.

Kjo sipas tij do t`u shkaktojë dëm Prishtinës në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.

“Të nderuar qytetarë të Prishtinës,

Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, Sunny Hill, sivjet, nuk do të mbahet në Prishtinë.

Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.

Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën”, ka thënë kryetari Rama.

Ai ka thënë se Qeveria ka zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, duke bërë përpjekje për ndërhyrje në kompetencat e kuvendit komunal.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit”, u shpreh ai.

Në fund Rama potencoi se presin që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit.

Comments are closed.