Take a fresh look at your lifestyle.

Petkoviqi: Patriarku Porfirije nuk u lejua të hynte në Kosovë përmes Merdares – Lajmet e fundit



Petkoviqi: Patriarku Porfirije nuk u lejua të hynte në Kosovë përmes Merdares




Shefi i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Porfirije, është ndaluar që të hyjë në Kosovë nga pika kufitare e Merdares.


“Të mohosh të drejtën e kreut të Kishës Ortodokse Serbe, një njeriu që predikon dashurinë dhe paqes, që të qëndrojë në shtëpinë e tij në Patrikanën e Pejës, ku ndodhet selia shekullore e patriarkëve serbë, është krim modern që qytetërimi nuk ka parë më parë”, shkroi ai në Tëitter më 26 dhjetor.


Ky njoftim vjen vetëm disa orë pasi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, tha se Porfirijes i është kërkuar që të dënojë apo distancohet nga “veprimet e pjesëtarëve të Kishës që po i ofrojnë përkrahje grupeve kriminale në veri të Kosovës” të cilët janë “përgjegjës për barrikadat” e ngritura në atë pjesë.


MPJD tha se Porfirije kishte bërë kërkesë më 23 dhjetor që të qëndrojë në Kosovë për tri ditë (26-28 dhjetor).


“Pra, kërkesa për vizitë e Patriarkut Porfirije nuk është refuzuar siç po propagandohet nga Kisha Ortodokse Serbe [KOS] dhe mediat serbe, por është ndërlidhur me deklaratën paraprake të distancimit nga veprimet dhe aktet e lartpërmendura”, thuhet në njoftim.


Patriarku Porfirije kishte planifikuar të vizitonte Patrikanën e Pejës dhe disa objekte të tjera ortodokse në Kosovë.


Sipas MPJD-së deri te ky vendim institucionet kanë ardhur pasi, siç thanë, prifti ortodoks Predrag Popoviq, nga Kisha e Shën Bartolomeut dhe Barnabas, afër Beogradit, së fundi kishte pranuar se “ditën e martë të javës së kaluar kishte kaluar kufirin me Republikën e Kosovës ilegalisht, dhe duke përdorur rrugët anësore – sipas tij – për t’iu shmangur patrullave të KFOR-it i kishte vizituar protestuesit në barrikadat ne Leposaviq”.


Kisha Ortodokse Serbe tha më 25 dhjetor se Porfirije u “trondit” kur mori lajmin se autoritetet në Kosovës i kishin “ndaluar” vizitën e planifikuar në Kosovë.


Sipas njoftimit, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, fillimisht kishte kontaktuar përfaqësuesit e misioneve diplomatike të vendeve të QUINT-it, për t’ua sqaruar se “deklarata e KOS-it është e pavërtetë, pasi kërkesa si e tillë nuk është refuzuar, por është ndërlidhur me deklarimin nga KOS-i që distancohet dhe nuk qëndron prapa veprimeve të përfaqësuesve të saj”.


Ndryshe, që nga 10 dhjetori në rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – janë bllokuar nga barrikadat e vendosura nga disa serbë lokalë.


Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës. Autoritetet në Prishtinë argumentojnë se ish-polici Dejan Pantiq, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.


Që nga fillimi i dhjetorit, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba. /Rel


Comments are closed.