Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq është shprehur se obligim i parë dhe themelor në dialog, është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe.
Petkoviq ka deklaruar se i kanë kryer të gjitha obligimet dhe se qe 10 vjet janë duke e pritur krijimin e AKS-së.
“Kur e sheh se çfarë po bën Prishtina në të vërtetë shihet qartë se ata nuk duan dialog, nuk duan paqe, nuk duan të biem dakord për asgjë. Ata këmbëngulin që të shkaktojnë ndonjë reagim të papërshtatshëm nga serbët me lëvizjet e tyre të njëanshme”, pretendon Petkoviq, përcjell Insajderi.
Në një intervistë për gazeten serbe “Blic”, Petkoviq foli për takimin me përfaqësuesit e serbëve, problemin me targat por edhe për hapat e mëtejshëm kur është fjala për dialogun Beograd-Prishtinë.
“Kurti nuk do të formojë Asociacionin, nuk e do. Ata thonë çdo ditë se AKS duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, se ai nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Bislimi tani përmend në publik nja pesë kritere, të cilat as që u diskutuan. Pra, Kurti nuk foli asnjë fjalë për ndonjë kriter. Në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 janë përcaktuar kriteret se si duhet të duket komuniteti, cilat janë kompetencat e tij, kompetencat thelbësore, cili është qëllimi i komunitetit, cila është struktura e tij, si do të funksionojë. Serbia ka të drejtë të financojë Asociacionin, kjo është e përcaktuar në pikën 16’te të parimeve të përgjithshme”, ka theksuar Petkoviq.
Comments are closed.