Take a fresh look at your lifestyle.

​Qytetarët kërkojnë rikthimin në tërësi për qarkullim të rrugës “Xhorxh Bush”

Rruga që ndan katedralen “Nënë Tereza” dhe Kampusin Universitar është rihapur për qarkullim, por vetëm për automjete të caktuara. Në bulevardin “Xhorxh Bush” mund të kalojnë autobusët e Trafikut Urban, taksitë, automjetet e policisë, zjarrfikësve dhe autoambulanca. Kryeqytetasit po kërkojnë rikthimin për qarkullim si më parë, meqë ankohen për tollovi në Prishtinë. Po ashtu, ata thonë se nuk e kanë të qartë në tërësi se kush ka të drejtë të kalojë me automjete në këtë rrugë.

Eroll Agolli kërkon që qarkullimi në këtë pjesë të Prishtinës të jetë tërësi, meqë ankohet për kaosin e shkaktuar në Prishtinë.

Agolli: Më mirë ka qenë atëherë se tash

“Më mirë ka qenë atëherë se tash…. qysh ka qenë përpara me qarkullu këtu, tash po duhet krejt rreth e rreth. Shiko çfarë guzhme (tollovi) është bërë nëpër rrugë… Unë e kam kerrin atje, kam pasur takim këtu, badihava, duhet t’i bëjë dy kilometra në këmbë se nuk kam si të vij këtu”, shprehet ai.

Për dikë tjetër që pak herë e shfrytëzon makinën, nuk paraqet problem mos qarkullimi i automjeteve në këtë rrugë. Teuta Hazbata është e mendimit që bulevardi “Xhorxh Bush” të jetë pjesë e sheshit.

Hazbata: Ka nevojë të ketë shesh

“Unë shumë eci, në fakt nuk jam e varur shumë prej veturave. Kështu që mua më duket që ka nevojë për me pas. Por, ky organizim nuk e di siç do të shkojë, sa do të jetë e këndshme edhe për këmbësorë me ec në mes të veturave, nuk e di. Por, për që ka nevojë të bëhet shesh, po….Tollovi gjithmonë ka edhe 100 rrugë të tjera me i hap, tollovi ka Prishtina. Duhet në një mënyrë tjetër me qenë për me ndalua këtë qarkullim. Kështu që unë mendoj që na kanë ngulfat këto vetura”, shprehet ajo.

E Avni Zubi e ka të paqartë vendimin për rikthimin e kësaj rrugë në qarkullim për automjete të caktuara.

Zubi: Nuk po merret vesh kjo punë

“Nuk po e dinë njeri, a ka me shku këndej, a duhet të kthehen përmas. Nuk po merret vesh kjo punë. Autobusi tash shkoj këndej, ai tjetri shkoj andej. Nuk është në rregull diçka”, deklaron ai.

Ngjashëm shprehet edhe Avni Gashi, i cili thotë se një pjesë e rrugës nuk dihet se për cka do të shfrytëzohet.

Gashi: Unë këtë nuk po e di

“Nuk e di tash, një trak u lëshua për autobusë dhe për këto, por tjetra trak nuk e di për çka është. Këta këmbësorët nuk mund të kalojnë aty, unë këtë nuk po e di. Kjo u lëshua për autobusë, për taksi e zjarrfikës, por kjo traka tjetër për çka është nuk po e dimë”, thotë ai.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sheshi “Xhorxh Bush” është hapur për linjat e Trafikut Urban, taksitë dhe veturat emergjente, të cilat do të kenë qasje me shpejtësi të kufizuar prej 20 km/h.

Comments are closed.