Take a fresh look at your lifestyle.

Infermierët të pakënaqur me koeficientin, paralajmërohet ikje e madhe e tyre

Infermierët e angazhuar në institucionet publike shëndetësore janë  të pakënaqur me vlerën e koeficientit prej 105 euro. Sipas Sindikatës së Infermierëve, një vlerë e tillë veçse ka zbehur dëshirën e këtyre punëtorëve shëndetësorë për të vazhduar punën në klinikat e spitalet e Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha u shpreh se përkundër këtyre pakënaqësive ende nuk kanë menduar që Ligjin për paga ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, apo të parashtrojnë kërkesë për diçka të tillë tek Avokati i Popullit.

“Kemi kërkuar që vlera e koeficientit të jetë të paktën 120 euro, edhe kjo nuk ka ndodhur, kështu që normal që ka pakënaqësi tek infermierët. Tek ne si sindikatë ende nuk kemi menduar për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese sepse jemi pjesë e Federatës, ndërsa para pak ditësh Federata ka vendosur që përmes 5 pikave iu është drejtuar Qeverisë ku asnjëra nga pikat nuk është që Federata do ta dërgojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese”,  theksoi Berisha.

Por, koeficienti prej 105 eurosh sipas Berishës vetëm sa e ka rritur dëshirën e stafit infermieror për tu larguar nga Kosova.

Ai madje për KosovaPress theksoi se deri në mesin e vitit 2024 priten të largohen rreth 2 mijë infermierë.

“Ka ngjallë pakënaqësi ata që kanë qenë të luhatshëm për atë se a të qëndrojnë për të punuar në Kosovë apo të shkojnë jashtë, sigurisht që i janë rritur kërkesat për të shkuar jashtë  dhe një pjesë e tyre kanë thënë se ‘nga ky moment ne më nuk mund të punojmë’ dhe vlen të ceket  që nuk është vetëm paga, por janë edhe kushtet e rënda, janë edhe mungesa e madhe e infermierëve ku ka reparte që një infermier kujdeset deri për 25 pacientë derisa sipas OBSH-së një infermier duhet të kujdeset për pesë pacientë… Sipas informatave që kemi ne janë rreth 2 mijë infermierë të cilët priten të largohen deri kah mesi i vitit 2024 gjë që do ta vështirësojë edhe më tutje pozitën e infermierëve dhe po ashtu do të ketë normal ofrim të shërbimeve më jocilësore për pacientët”, theksoi ai.

E infermierët ende nuk e kanë të qartë se si do tu paguhet ndërrimi i natës, vikendet dhe ditët e festave. Për këtë çështje kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha tha se janë në pritje të publikimit të rregullores.

“Për çdo ditë thuajse janë duke u publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë rregullore përmes të cilës do të rregullohen edhe vlera do të caktohet për ndërrimin e natës, vikendet dhe festa ne kërkojmë dhe kemi kërkuar edhe nga ministri që të shkohet sipas Ligjit të pagave siç është e përcaktuar dhe sipas Ligjit të punës”, tha Berisha.

Lidhur me protestën dhe grevat e paralajmëruar nga kjo sindikatë për shkak të mos pagesës së ditëve të lira për festat zyrtare për stafin infermieror, Përparim Berisha tha se veprimet sindikale të parapara i kanë shtyrë dhe se janë në pritje të rregulloreve që parashohin edhe këto kompensime.

“Dje ka skaduar afati por dje kemi pas takim me ministrin, dhe ministri është zotuar që gjithçka do të shkoj  sipas Ligjit të pagave dhe ligjit të Punës dhe ne po presim dhe do e mbajmë për fjale ministrinë… Kërkesa jonë ka qenë që ditët e pushimit ka pas problem tek Ligji për festat zyrtare ku në momentin që ka rënë një festë në vikend është shtyrë për ditën e hënë dhe është bërë ditë e lirë dhe ajo është paguar si festë gjë për të cilën kemi reaguar edhe ne dhe kemi kërkuar edhe neve të na paguhet dhe mos të diskriminohemi… Për momentin vetëm janë shtyrë për shkak të takimit të djeshëm dhe po presim rregulloret  t’i shohim se sa do të jetë vlera, pagesa për ndërrim të natës, për orë shtesë ose për festa”, theksoi ai.

Pakënaqësi për koeficientin kanë shprehur edhe nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

Ndërsa, derimë tani nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 18 ankesa kundër Ligjit për paga në sektorin publik.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni, Petrit Çollaku i cili tha se Avokati i Popullit është duke i trajtuar këto ankesa dhe më pas do të del me një qëndrim.

“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, nga organizata Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, oda e fizioterapeutëve të Kosovës, sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës. Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Comments are closed.