Take a fresh look at your lifestyle.

Reja: Emocionuese sfida me Italinë, do t’i këndojë dy himnet, të ardhmen e vendosim pas dy miqësoreve

Shqipëria do të luajë dy takime miqësore në ditët e ardhshme. Kuqezinjtë presin Italinë në “Air Albania” (16 nëntor), teksa tri ditë më vonë sfidojnë Armeninë në të njëjtin stadium. Dueli ndaj kampionëve të Europës do të jetë shumë emocionues për trajnerin Edi Reja.

Në prononcimin për shtypin, trajneri italian zbuloi edhe prapaskenën në lidhje me miqësoren ndaj Italisë së Roberto Mancinit, duke treguar se çfarë i tha presidentit Armand Duka sapo mori vesh që të kaltrit po kërkonin duele miqësore pas dështimit për t’u kualifikuar në Katar 2022.

Reja preku edhe tema të tjera, duke nisur nga tre lojtarët e ftuar nga kampionati shqiptar: Eneo Bitri dhe Andi Hadroj (Partizani), dhe Erdenis Gurishta (Vllaznia). Sa i përket rinovimit, 77-vjeçari dëshiron të vazhdojë aventurën në stolin kuqezi, por takimi me Dukën do të vendosë të ardhmen e tij.

Sfidën me Italinë ai e konsideroi shumë të veçantë, madje tha se para ndeshje do t’i këndojë të dy himnet.

“Sfida ndaj Italisë do të jetë shumë emocionuese për mua dhe Shqipërinë. Kënaqësi dhe krenari të përballem me Italinë time. Do të provoj emocione të mëdha dhe të bukura, do t’i këndoj dy himnet. I thashë presidentit: bëj maksimumin të luajmë ndaj tyre, pasi ata po kërkojnë miqësore pas eliminimit nga Kupa e Botës. Menjëherë biseduam dhe shkoi mirë, kështu që nuk ka më bukur.”, tha Reja, përcjellë Supersport.

Ai më pas foli edhe për lojtarët e ftuat nga Superliga e Shqipërisë për të cilët tha se është shumë i lumtur për atë që po tregojnë me kombëtaren si dhe shtoi se mund të luajnë edhe ndaj Italisë.

“Ka edhe të tjerë lojtarë nga kampionati shqiptar që më kanë lënë përshtypje të mira. Mua më pëlqen të thërras gjithmonë 3-4 lojtarë nga kampionati vendas. Ata janë treguar të jashtëzakonshëm në miqësoren ndaj Katarit, të gjithë luajtën shumë mirë. Nuk e merituam humbjen, krijuam 2-3 raste, na u mohua edhe një penallti. Zhvilluam një futboll të mirë dhe u treguam agresivë. Janë edhe 3-4 lojtarë të tjerë ndaj të cilëve kam krijuar ndjesi pozitive.Të gjithë kanë shanse të njëjta për të luajtur ndaj Italisë, kot nuk i kam ftuar, kam besim tek ata. Lojtarët e Superiores më treguan se gëzojnë një gjendje të mirë fizike, ata mund t’i përballojnë 90 minuta.”, theksoi Reja.

Pasiguria mbi të ardhmen e tij vazhdon të qarkullojë nëpër mediat shqiptare. Reaj konfirmoi se pas këtyre dy miqësoreve do të ulet dhe të bisedojë me presidentin Armando Duka.

“Të luajmë këto dy ndeshje, më pas do të kemi kohë për të biseduar. Me presidentin Duka kam një raport miqësie dhe vlerësimi. Do të ulemi të bisedojmë, do të marrim vendimin më të mirë për Shqipërinë. Unë jam i gatshëm për të vazhduar si trajneri i Kombëtares.”, tha italiani.

Në fund Reja foli edhe për lëndimet që ka në ekip.

“Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme, do kem mundësinë të shoh disa lojtarë. Kemi probleme me dëmtimet, por edhe me klubet. Balliu ka disa probleme, njësoj edhe për Dermakun. Balaj, Cikalleshi dhe Seferi kanë ndeshje me klubet, edhe Uzuni. Gjimshiti sapo është rikuperuar nga një dëmtim, Atalanta është e shqetësuar, por në darkë do të bëjmë një vlerësim më të mirë të lojtarëve që do kemi në dispozicion. Do doja të hidhja në fushë lojtarët më të mirë të mundshëm ndaj Italisë, por mbetet për t’u parë. Të rinjtë do të jenë në stol, mund të luajnë edhe tre lojtarët e ftuar nga Superiorja. Njësoj edhe për Abazajn, i cili ka bërë mirë në dy miqësoret e fundit”, përfundoi trajneri i kombëtares kuqezi.

Comments are closed.