Take a fresh look at your lifestyle.

​Rusia bën përgjegjës për sulmin ukrainas me raketa përdorimin e telefonit nga ushtarët rusë

Rusia ka thënë se një sulm raketor i Vitit të Ri, i cili vrau të paktën 89 ushtarë rusë, ndodhi për shkak se trupat po përdornin telefonat e tyre celularë.

Përdorimi i telefonave të ndaluar i lejoi armikut të gjente objektivin e tij, thanë zyrtarët. Një hetim ka nisur tashmë.

Ukraina thotë se 400 ushtarë u vranë – dhe 300 të tjerë u plagosën – në sulmin ndaj një kolegji për rekrutët në Makiivka, në zonën e okupuar të Donetsk, shkruan BBC.

Ky është numri më i madh i vdekjeve që Rusia ka pranuar në luftë.

Rusia tha se në orën 00:01 me orën lokale të Vitit të Ri, gjashtë raketa u hodhën nga një sistem raketor Himars i prodhuar në SHBA në një kolegj profesional, dy prej të cilave u rrëzuan.

Zëvendëskomandanti i regjimentit, nënkoloneli Bachurin, ishte në mesin e të vrarëve, tha ministria e Mbrojtjes në një deklaratë të mërkurën.

Një komision po heton rrethanat e ngjarjes, thuhet në deklaratë, përcjell KosovaPress.

Por është “tashmë e qartë” se shkaku kryesor i sulmit ishte prania dhe “përdorimi masiv” i telefonave celularë nga trupat në rrezen e armëve ukrainase, pavarësisht se kjo ishte e ndaluar, shtoi ai.

“Ky faktor i lejoi armikut të lokalizojë dhe të përcaktojë koordinatat e vendndodhjes së personelit ushtarak për një sulm raketor.”

Zyrtarët e shpallur fajtorë në hetim do të sillen para drejtësisë, shtohet në deklaratë dhe po ndërmerren hapa për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Comments are closed.