Take a fresh look at your lifestyle.

Tetë shkolla të reja pritet të ndërtohen në Prishtinë, Drejtoresha e Arsimit jep detaje

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë se janë në proces të ndërtimit të tetë shkollave të reja në kryeqytet.

Krahas nisjes së punimeve për ndërtimin e një shkolle në Veternik, dy të tjera do të nisin së shpejti në Mati 1 dhe në Sofali. E përfundimi i këtyre punimeve pritet të përfundojë brenda dy vitesh.

Musmurati ka thënë se janë në proces të negocimit të një kontrate të re me Bankën Botërore për ndërtimin e pesë shkollave të reja, që totali i tyre të shkojë në tetë.

“Fjala është për ndërtimin e tri shkollave të reja në Prishtinë. Njëra që filloi të enjten në lagjen ‘Qendresa’ në Veternik, tjetra është në lagjen Sofalia dhe shkolla tjetër në Mati 1. Këto tri shkolla tanimë i kemi nënshkruar kontratat edhe për tri shkollat parashikohet që punimet të përfundojnë brenda dy vitesh. Pra po flasim për një dinamikë shumë të shtuar të punëve që të përfundojë ndërtimi i tri shkollave. Por në të njëjtën kohë, jemi duke negociuar edhe një kontratë me IFC që t’i ndërtojmë edhe pesë shkolla me Partneritet Publiko-Privat dhe për kontratën e re tashmë jemi duke i gjetur lokacionet e reja, që pastaj të bëjmë ndërtimin e pesë shkollave të reja dhe gjithsej të bëhen tetë”, ka thënë Musmurati.

Krahas ndërtimit të shkollës në lagjen “Kodrina”, banorët e lagjes Mati 1 do të përfitojnë edhe nga një projekt tjetër. Thotë se shkolla “Pavarësia” do të bëhet me aneks shtesë.

Me ndërtimin e kësaj shkolle, synohet zvogëlimi i numrit të nxënësve në disa shkolla të kryeqytetit.

“Objekti i ri do të ndërtohet në lagjen ‘Kodrina’ atje do të jetë një shkollë e re. Në shkollën ‘Pavarësia’ do ta ndërtojmë një aneks shtesë, sepse kjo shkollë aktualisht është mbingarkuar dhe nxënësit nuk po kanë ku të bëjnë ushtrime kabinetike për lëndë të ndryshme. Kështu që aneksin e ri planifikojmë që të rrisim kapacitetin e shkollës aktuale, por pastaj me ndërtimin e shkollës së re në ‘Kodrina’, do të bëhet pak edhe lirimi i këtyre shkollave ‘Pavarësia’, ‘Ismail Qemali’ e ‘Iliria’, të cilët janë të mbingarkuar me nxënës sepse lagjet kanë filluar të rriten në vazhdimësi por infrastrukturë shkollore nuk kemi pasur me i përcjellë zhvillimin e lagjeve”, u shpreh ajo.

E para e arsimit në Prishtinë ka thënë se bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit është i shkëlqyer dhe se presin që këtë ta vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Ajo ka thënë se janë në proces të bashkëfinancimit për ndërtimin e një shkollë tjetër në Veternik.

Sipas saj, Komuna do ta sigurojë parcelën dhe do ta financojë projektin, ndërsa MASHTI do ta bëjë ndërtimin e saj.

“Po veçse ne e kemi filluar një bashkëpunim edhe Ministrisë së Arsimit i kemi dërguar pesë lokacione për ndërtimin e çerdheve të reja, sepse MAShTI e ka prioritet sipas tyre ndërtimin e çerdheve të reja, prandaj edhe ne kemi dashur që ta prioritizojmë Prishtinën me investime kapitale, sepse kemi nevojë shumë çerdhe të reja. Mendoj që kemi bërë mjaftueshëm sa i përket anës sonë e kemi ofruar bashkëpunimin tonë maksimalisht. Kemi ndarë një lokacion dhe po e bëjmë edhe një projekt për një shkollë të re në Veternik, në të cilën toka është ndarë nga Komuna, projektin po e bën Komuna, ndërsa Ministria do ta bëjë ndërtimin e financimin e shkollës, edhe ajo do të jetë shkollë fillore”, ka thënë Musmurati për EO.

Comments are closed.