Take a fresh look at your lifestyle.

Uragani Ian lë në errësirë të plotë Kubën – Lajmet e fundit



Uragani Ian lë në errësirë të plotë Kubën


Bota
September 28, 2022 – 08:07

Kuba ka mbetur plotësisht pa energji elektrike pasi uragani Ian goditi skajin perëndimor të ishullit, ka njoftuar qeveria e saj.


Sistemi elektrik po përjeton një kolaps total, pasi një nga termocentralet kryesore nuk mund të rikthehej në funksion.


Dy persona u raportuan të vdekur dhe shumë ndërtesa u dëmtuan në mbarë vendin.


Kreu i autoritetit të energjisë elektrike njoftoi se një ndërprerje në të gjithë ishullin kishte ndodhur si rezultat i prishjes së sistemit elektrik kombëtar, duke lënë 11 milionë njerëz në errësirë.


Një gazetar i një agjencie shtetërore të lajmeve raportoi se 100% e qarqeve elektrike në vend ishin jashtë shërbimit dhe se “centrali termoelektrik Antonio Guiteras… nuk mund të vihej në funskion”.


Me qendër në Matanzas, 100 km në lindje të kryeqytetit Havana, Antonio Guiteras është centrali më i rëndësishëm energjetik në Kubë. Mbyllja e tij do të thotë se aktualisht nuk ka prodhim të energjisë elektrike askund në ishull.


Uragani i kategorisë së tretë, me shpejtësi të erës deri në 195 km/h tani po godet Florida.


Më shumë se 2.5 milionë banorë të Floridës u paralajmëruan për evakuim të martën, ndërsa uragani Ian marshoi më pranë bregut perëndimor të shtetit pasi la pa energji të gjithë Kubën.


Florida jugore filloi të ndjejë efektet e para të stuhisë të martën në mbrëmje, me shi dhe erëra të fuqishme që godasin rajonin dhe kërcënime tornado që do të zgjasin gjatë natës. Një tornado e dukshme në aeroportin North Perry në Broward County shkaktoi “dëme të konsiderueshme” në disa avionë, tha kryebashkiaku Michael Udine në Twitter.


Autoritetet e qytetit njoftuan të martën mbrëma, shërbimet e urgjencës, duke përfshirë policinë dhe reagimin ndaj zjarrit, do të pezullohen deri pasi të kalojë stuhia, kur do të jetë e sigurt të rifilloni sërish thirrjet e reagimit. /a2cnn


Comments are closed.