Take a fresh look at your lifestyle.

A është i kundërligjshëm riemërimi i Arben Vitisë në pozitën e ministrit? Flet njohësi i çështjeve juridike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka riemëruar në pozitën e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Pas rikthimit në pozitën që kishte mbajtur deri në fund të vitit 2021, kur edhe ishte dorëhequr për të kandiduar për kryetar të Komunës së Prishtinës, ka pasur edhe reagime ndaj vendimit të Kurtit, ku disa prej tyre e kanë cilësuar edhe si “kundërligjor”.

Njohësi i çështjeve juridike nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka deklaruar për lajmi.net se në bazë të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e Funkisonit Publik, nuk ka ndonjë dispozitë ligjore që kufizon të drejtën e Arben Vitisë të caktohet në pozitën e Ministrit të Shëndetësisë.

Por, ai ka thënë se ka qenë kontestuese marrja e pozitave nga ministri Vitia në sektorin privat pasi ishte larguar nga pozita e ministrit në vitin 2021.

“Kontestuese ka qenë marrja e pozitave nga ana e Arben Vitisë, në sektorin privat që ndërlidhen me shëndetësinë pas përfundimit të mandatit të tij si Ministër i Shëndetësisë. Sidoqoftë, lidhur me dyshimet apo perceptimet lidhur me këtë situatë është Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit autoritet kompetent për të informuar publikun nëse është filluar ndonjëherë procedurë nga ana e tyre sipas detyrës zyrtare apo në bazë të ndonjë inicimi të jashtëm për situatën potenciale të konfliktit të interesit.”, ka thënë Miftaraj.

Tutje, ai ka deklaruar se në këtë fazë është me interes që Vitia pasi të marrë detyrën të zgjidhë në çdo situatë të konfliktit ndërmjet interesave të tij si ministër dhe interesave private.

“Në këtë fazë çka është me interes është fakti se Arben Vitia me marrjen e detyrës dhe gjatë ushtrimit të saj, ka për detyrë të parandalojë dhe të zgjidhë vetë në mënyrën më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit ndërmjet interesave të tij publike si Ministër i Shëndetësisë dhe interesave të tij private me pozitat që ka mbajtur deri tani në institucionet private të shëndetësisë”, ka përfunduar Miftaraj.

Kujtojmë se për riemërimin e Vitisë në pozitën e Minsitrit të Shëndetësisë ka pasur reagime edhe nga opozita, të cilët kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti për vendimin e marrë. /Lajmi.

Comments are closed.