Avokati Skender Musa ka thënë se vendimi për dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafës është i lartë dhe sipas tij, procedura penale në të cilën është zhvilluar ka pasur të meta të mëdha dhe lëshime procedurale.
“Sa i përket vendimit të Gjykatës Speciale dhe krahasimeve që po i bëni me të akuzuarit për krime lufte në Republikën ish-Federative të Jugosllavisë, kanë dënime shumë më të ulëta”, ka thënë Musa.Sipas tij, nuk duhet humbur shpresa për ulje të dënimit sepse është shkalla e parë dhe është shkalla e Apelit.
“Nuk duhet t’ia lëmë fajin trupit gjykues, nëse nuk janë sfiduar të gjitha provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë, dhe nëse provat nga ana e mbrojtjes nuk janë paraqitur në momentin e duhur, dhe nuk kanë këmbëngulur që këto prova ta fitojnë peshën e njëjtë si provat nga ana e Prokurorit të Shtetit”.Avokati Musa ka potencuar se vendimi për dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafës është i padrejtë.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, më 16 dhjetor e shpallën fajtor Mustafën për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë, duke i shqiptuar dënimin me burgim prej 26 vitesh.
Ndryshe, dënimi ndaj Salih Mustafës ishte i pari vendim i shqiptuar për akuzat për krime lufte nga Dhomat e Specializuara.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Gjykata Speciale e Kosovës është formuar pas publikimit të një raporti të Këshillit të Evropës më 2011, nën autorësi e senatorit zviceran, Dick Marty. Më 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për formimin e kësaj gjykate./rtvdukagjini
Comments are closed.