Take a fresh look at your lifestyle.

Begaj: Mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, por nuk kemi harruar kush është agresori

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka deklaruar se Shqipëria mbështet fort dialogun Serbi-Kosovë, por nuk e harron kush është agresori dhe kë ka agresuar, derisa ka shtuar se është e udhës që Qeveria e Serbisë të kërkojë ndjesën e agresionit dhe të jetë e para në tryezën e dialogut.

Begaj këto komente i bëri në pritjen diplomatike të fillimvitit 2023, tha se Ballkani ka bërë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal, të shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian.

Presidenti Begaj tha se shqiptarët do të mbeten faktor paqeje në Ballkan dhe promovues të imazhit të një Ballkani pasional, por jo konfliktual.

E ndërsa flasim për konflikt, nuk kam ndërmend të kaloj heshturazi mbi rrezikun që i kanosej Ballkanit deri para pak ditësh, prej provokimeve me barrikada në veri të Kosovës. Nuk mund të them nëse provokimi me barrikada të vendosura nga elementë me të shkuar kriminale dhe tentativa për ndërhyrje aktive në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë, ka të bëjë me një logjikë agresioni të ngjashëm me skenarin në Ukrainë. Por një gjë është e qartë, çdo acarim në Ballkan i shërben shpërndarjes së vëmendjes dhe të forcës euroatlantike. Pra, i shërben agresorit. Në këto kushte, Shqipëria do të jetë e ndjeshme, por e matur, në mbështetje të dialogut, por shumë e kujdesshme ndaj integritetit të shtetit kosovar. Ne mbështesim fort dialogun Serbi-Kosovë, por nuk kemi harruar kush është agresori dhe kë ka agresuar. Nuk harrojmë as vuajtjet e sakrificat e popullit kosovar. Është më e vështirë për qeverinë e popullit të sulmuar, që as ka dëgjuar ndonjëherë ndjesë nga pala tjetër, të ulet në tryezë dialogu. Është e udhës për qeverinë që ka përgjegjësinë historike të kërkojë ndjesën e agresionit dhe të jetë e para në tryezën e dialogut. Gjithsesi, ky është veçse një sugjerim, ndoshta më shumë një urim dashamirës prej vullnetit për të zgjidhur një nga tensionet me potencial konflikti në rajonin tonë dhe dëshirës për kontribut të përbashkët për paqen, demokracinë, e mirëqenien e rajonit.  Gjej rastin të kujtoj këtu se shqiptarët, kosovarët, kanë qenë objekt spastrimi etnik në histori. Me shumë maturi, ne jo vetëm mbrojmë të drejtat tona, por edhe dinjitetin rajonal e europian”, tha ai. 

Ai shprehu mirënjohjen e tij për kontributin diplomatëve, në forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore e të turizmit në Shqipëri.

“Dua t’i kushtoj një moment të veçantë urimi Ambasadorit të Republikës së Bosnje-Herzegovinës dhe Ambasadorit të Republikës së Kosovës. Bosnje Herzegovinës për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian dhe Kosovës për votën në favor të liberalizimit të vizave. Shpresoj që rruga e hapur për lëvizjen pa viza të qytetarëve kosovarë, të bëhet realitet në datën e përcaktuar nga vendimi dhe pa vonesa, kushte a objeksione”, tha ai.

Begaj ka falënderuar edhe aleatët e partnerët e Shqipërisë në NATO, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e bashkëpunimin që Shqipëria t’i bëjë ballë sulmeve të natyrave të ndryshme e tentativave për të destabilizuar apo dëmtuar Shqipërinë.

Comments are closed.