Take a fresh look at your lifestyle.

Eskalimi i debatit në Komisionin për Arsim, Gola: Jap dorëheqje nëse dëshmohet gjuha kërcënuese ndaj SBASHK-ut – Lajmet e fundit



Eskalimi i debatit në Komisionin për Arsim, Gola: Jap dorëheqje nëse dëshmohet gjuha kërcënuese ndaj SBASHK-ut




Deputeti i LVV-së, njëherit edhe kryetar i Komisionit për Arsim, Ardian Gola ka premtuar se do të jap dorëheqje nëse veç dëshmohet se në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni është përdorur gjuhë kërcënuese ndaj SBASHK-ut.


Gola në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për grevën në arsim ka thënë se gjuha ka qenë në nivel, përveç momentit kur ka eskaluar debati në mes deputetit Dimal Basha dhe kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.


“Në Kosovë mendoj që më shumë sesa paraja, inflacion të tmerrshëm ka pësuar fjala. Unë e kuptoj që nganjëherë duhet me vlerësua paushall, por nuk mundem me kuptu me u jep konstatimi që kryetari i komisionit e ka degradua debatin dje e sindikata ka qenë e kërcënuar e mos me qenë në gjendje as një argument të vetëm me ofru sesi është degradua debati, mua vetëm në këtë Kuvend më ka ndodh . Po më duket dua me heq dorë që me diskutua racionalisht në këtë Kuvend, kjo është bërë terrorizuese”, ka thënë Gola.


Ai ka ftuar publikisht deputeten e LDK-së, Vlora Dumoshi që të siguroj një dëshmi se ai ka degraduar debatin.


“Ajo që ka eskalu me Dimalin është çështje tjetër, po e sfidoj publikisht Vlora Dumoshin dhe çdo kush që mundet me gjetë në diskutimin e djeshëm një sekuencë 1 sekondëshe ku është përdorur gjuhë që sindikata është ndjerë e kërcënuar, po ju premtoj që kam me jep dorëheqje”, ka thënë Gola.


Pas kësaj ka reaguar deputetja Vlora Dumoshi, e cila gjatë fjalës së saj iu drejtua dikujt nga deputetët e LVV-së me “mbylle gojën”.


“Po më vjen keq për frustrimin tënd. Mbylle gojën se unë po flas, tani dil ti…A nuk është kërcënim mos e përmend kryeministrin e ministren se nuk janë në takim…  a është demokratike”, ka thënë Dumoshi.


E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ia ndali mikrofonin deputetes Dumoshi, duke i kërkuar që të respektojë gjuhën parlamentare.


Ndryshe, në mbledhjen e Komisionit për Arsim të mbajtur dje më 21 shtator, ku po diskutohej për grevën e SBASHK-ut, ka eskaluar debati pasi deklaratës së deputetit të LVV-së, Dimal Basha.


Kjo ka bërë që kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj të lëshojë mbledhjen. Mirëpo, debati i nisur mes tij dhe deputetit Basha ka vazhduar edhe në hollin e Kuvendit.


Deputeti Dimal Basha iu drejtua Jasharajt duke i thënë se nuk është i sinqertë në kërkesat e tij dhe se po i mbanë peng fëmijët. /telegrafi


Comments are closed.