Take a fresh look at your lifestyle.

Goran Rakiq flet në emër të Shtabit të Krizës, në video s’i shfaq barrikadat – Lajmet e fundit



Goran Rakiq flet në emër të Shtabit të Krizës, në video s’i shfaq barrikadat




Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka bërë një adresim nga fshati Rudarë, ku janë vendosur barrikada për bllokim të rrugëve që çojnë në dy pikat kufitare në veri të Kosovës.


Rakiqi, partia e të cilit i shërben pushtetit në Serbi, thotë se nata e mbrëmshme ishte e qetë dhe se e duan vetëm paqen. Këtë adresim Rakiqi e bëri pasi Serbia paralajmëroi se do të bëjë kërkesë për kthimin e forcave serbe në Kosovë dhe kjo u kundërshtua fuqishëm nga Perëndimi.


“Ndodhemi në Rudarë në komunën e Zveçanit dhe në emër të Shtabit të Krizës dua ta njoftoj para së gjithash opinionin se nata e mbrëmshme ishte e qetë, duke iu falënderuar këtij populli trim, stoik për të ruajtur shtëpitë e tyre dhe paqen”, ka thënë Rakiqi.


“Ne duam vetëm paqe, s’duam asgjë të huajën, duam ta ruajmë vetëm atë që është jona dhe familjet tona. Këto nuk janë aksione të popullit serb, këto janë reaksione ndaj hapave të njëanshëm të Prishtinës. Ne kërkojmë paqe, arsye para së gjithash nga Prishtina dhe lirimin e serbëve të burgosur pa asnjë bazë dhe që Albin Kurti t’i tërheqë të gjitha njësitë që i ka dërguar në veri. Pra, të ndalë maltretimin ndaj fëmijëve tanë dhe të ndalet gjahu ndaj serbëve”, thotë tutje ai.


Kosova ka shtyrë zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, që ishin caktuar të mbaheshin më 18 dhjetor. Kjo pas kërkesës së ndërkombëtarëve, për t’i evituar tensionet në veri, ku prej ditësh kanë nisur incidentet.


Por, nga aty s’janë larguar barrikadat dhe komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Serbisë që të mos tensionojë edhe më situatën në veriun e Kosovës. Presidenti serb, Aleksandar Vuciq, ka thënë se ai nuk është prapa barrikadave.



Comments are closed.