Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, e cila mbrëmë tha se paralajmërimi i kësaj sindikate për grevë më 1 shtator është i papranueshëm dhe kërcënim.
Jasharaj ka thënë se i vjen keq se sa shumë e ka ndryshuar funksioni dhe kolltuku ministren Nagavci.
“Na vjen keq sa shumë të ka ndryshuar funksioni dhe kolltuku znj. Nagavci. SBASHK-u do të ndjehej i lumtur sikur ministrja Ngavci me deklarimin e saj publik të sillte lajmin se pas angazhimeve të saj Qeveria, më në fund, ka ndryshuar qasjen ndaj dialogut me sindikatat dhe se do të nis me takimet e dialogun në përpjekje për të gjetur bashkërisht zgjidhje për kërkesat legjitime të SBASHK-ut dhe sindikatave tjera për të mos pasur nevojë për veprime sindikale dhe për grevën e përgjithshme. Mirëpo kjo nuk ndodhi e në vend të kësaj ministrja paralajmërimin për grevë e quan kërcënim dhe tregon se as ajo e as Qeveria nuk e kanë në mendje ta ndryshojnë qasjen me sindikatat e as nuk do të qajnë kokën për kërkesat e tyre dhe prandaj ky paralajmërimi ynë, që nuk është kërcënim, po alarm, do të kthehet në realitet dhe greva e përgjithshme do të ndodh fatkeqësisht dhe fajtori i vetëm për këtë është Qeveria Kurti.
Për më tepër, ai ka thënë se Nagavci dikur si deputete dhe anëtare e Komisionit për Arsim ishte shumë e zëshme për kërkesat e mësimdhënësve.
“Ajo që na bën të ndjehemi edhe më keq është se fatkeqësisht funksioni e kolltuku e kanë ndryshuar shumë Nagavci. Ajo dikur si deputete dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim ishte shumë e zëshme dhe në janarin e vitit 2019 kishte deklaruar publikisht kur SBASHK-u ishte në grevë dhe pikërisht për shkak të pakënaqësive lidhur me Ligjin e pagave se ‘greva që nuk e deshën as vetë mësimdhënësit erdhi si rezultat i keqqeverisjes’ për të shtuar, veç tjerash edhe se ‘…sikur Qeveria të mos i injoronte shqetësimet e SBASHK-ut sot nuk do t’i krijonte pakënaqësitë që i ka krijuar dhe nxënësit nuk do të mbeteshin në shtëpitë e tyre. Shkaktari i vërtetë i grevës është Qeveria e Kosovës’”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se edhe tash, kërkesat e mësimdhënësve mbeten po të njëjtat.
“Ministre atëherë dhe tani SBASHK-u ishte dhe mbetet po ky i njëjti dhe kërkesë kryesore edhe tani lidhet me Ligjin e pagave, por tani ju mundoheni ta arsyetoni Qeverinë pa as edhe një argument dhe se është fajtorja e vetme dhe e kritikoni pa as edhe një fakt SBASHK-un. Sa shumë ju ka ndryshuar funksioni dhe kolltuku juve znj. Nagavci… Ministre nëse ju dhe Qeveria vërtetë brengoseni për nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva angazhohuni dhe hapni dyert për takime e dialog dhe për gjetje të zgjidhjes së pranueshme për kërkesat e anëtarësisë”, ka thënë Jasharaj.
Comments are closed.