Take a fresh look at your lifestyle.

Mbledhja e Qeverisë, Kurti deklarohet për vendimet që u morën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për mbledhjen e sotmë të qeverisë, duke thënë se janë marr disa vendime të rëndësishme në fushën e energjisë, të kinematografisë dhe për rininë.
Kurti ka thënë se, në këtë mbledhje u miratua Strategjia e Energjisë 2022-2031, shkruan lajmi.

Tutje, ai thënë se është bërë edhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për Energji me qëllim optimizmimin dhe afatin e masave të emergjencës dhe krijimin e bazës së qartë për vendosjen dhe mbikëqyrjen e masave të kursimit të energjisë gjatë periudhës emergjente.

Postimi i plotë:

Sot, mbajtëm mbledhjen e dytë brenda javës, të 113-tën deri më tani, ku morëm ndër të tjera vendime të rëndësishme në fushën e energjisë, të kinematografisë dhe për rininë.

Miratuam një nga dokumentet më të rëndësishme të këtij viti, Strategjinë e Energjisë 2022-2031. Nëpërmjet saj synojmë të zhvillojmë një sektor energjetik të qëndrueshëm, të integruar në tregun pan-evropian, që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri të kostos për qytetarët. Ajo parasheh një rritje dinamike të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, kryesisht në teknologjitë e erës dhe fotovoltaike. Deri në fund të vitit 2031 synojmë që të kemi 1600 MW kapacitet të instaluar nga burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Bëmë edhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për Energji me qëllim optimizimin dhe afatin e masave të emergjencës dhe krijimin e bazës së qartë për vendosjen dhe mbikëqyrjen e masave të kursimit të energjisë gjatë periudhës emergjente.

Me projektligjin për Kinematografinë që votuam sot në qeveri, hapëm dyer të reja të zhvillimit të kinematografisë vendore të cilën e shohim si fuqi kryesore të zhvillimit kulturor. E me koncept-dokumentin për Rininë i hapëm rrugën avancimit të politikës shtetërore për rininë dhe ristrukturimin e sektorit rinor.

Përmes Programit Edukativ “Edukimi për Siguri”, konkretizuam bashkëpunimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, nga i cili nxënësit e klasave të njëmbëdhjeta, duke filluar nga fundi i vitit mësimor 2022-2023, do të përfitojnë njohuri dhe shkathtësi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Telekomit të Kosovës i ndamë 20 milionë euro hua të cilat do të përdoren për investime kapitale. Sivjet, për herë të parë nga viti 2015, kjo ndërmarrje publike ka bilanc financiar pozitiv.

Proceduam kërkesën te Presidentja e vendit për t’i dhënë ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve autorizimin për nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Ngrohtorja Solare e Prishtinës”. /Lajmi

Comments are closed.