Take a fresh look at your lifestyle.

Nagavci viziton Luginën e Preshevës: Kemi ndarë mjete financiare për të parandaluar shpopullimin e vendit – Lajmet e fundit



Nagavci viziton Luginën e Preshevës: Kemi ndarë mjete financiare për të parandaluar shpopullimin e vendit




Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se ka vizituar Luginën e Preshevës duke potencuar se në kuadër të mbështetjes së Qeverisë për qytetarët e kësaj zone janë shumë projekte në fushën e arsimit.


Nagavci ka njoftuar se gjatë kësaj të hëne ka vizituar Preshevën dhe me kryetarin e Komisionit parlamentar për arsim, Ardian Gola, këshilltaren e kryeministrit Ardita Sinani, këshilltarin e zëvëndëskryeministrit Fatmir Curri si dhe Kryetarin në Detyrë të KKSH, Ragmi Mustafi kanë zhvilluar vizita në disa institucione edukativo-arsimore e organizata të shoqërisë civile, raporton Zeri.info.


Postimi i plotë:


Në vizitën e sotme në Preshevë, pamë nga afër sesi po implementohen projektet për punësimin e asistentëve, edukimin në fëmijërinë e hershme si dhe projektet që janë përfituese nga grantet e ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.


Bashkë me kryetarin e Komisionit parlamentar për arsim, Ardian Gola, këshilltaren e kryeministrit Ardita Sinani, këshilltarin e zëvëndëskryeministrit Fatmir Curri si dhe Kryetarin në Detyrë të KKSH, Ragmi Mustafi dhe kolegë nga kabineti zhvilluam vizita në disa institucione edukativo-arsimore e organizata të shoqërisë civile.


Në shkollën fillore “Abdullah Krashnica” në Miratoc pamë nga afër punën e mësimdhënësve dhe nxënësve të kësaj shkolle e cila njihet si ndër më të sukseshmet në këtë pjesë. Diskutuam për financimin e projekteve për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shtimin e bashkëpunimit në të ardhmen.


Vizituam po ashtu Entin parashkollor “8 Marsi” në Preshevë ku u pritëm ngrohtë nga drejtoria, edukatoret dhe fëmijët e këtij institucioni. Me këtë rast, shpërndajmë librin “Mësojmë duke luajtur”, për 950 fëmijë të moshës parashkollore.


Gjithashtu morëm pjesë në promovimin e librit për fëmijë “Magjia e jastëkut me zile” me autore Afërdita Salihu si dhe qëndruam në OJQ “Drejtoria për konkluzionin e personave me aftësi të kufizuara” ku u njoftuam nga afër me punën dhe aktivitetet e tyre. Me këtë rast, takuam 20 asistentë të angazhuar për fëmijë me nevoja të veçanta dhe pamë nga afër angazhimin e tyre me këta fëmijë.


Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes për realizimin e të drejtave dhe nevojave të qytetarëve në Luginën e Preshevës.


Për këtë arsye ka ndarë mjete financiare që kanë synim promovimin e interesave të shqiptarëve në Luginë si dhe parandalimin e shpopullimit të vendit.


Në kuadër të mbështetjes së Qeverisë për qytetarët e Luginës së Preshevës shumë projekte të përkrahura janë në fushën e arsimit si:


-78 grante për projekte në vlerën totale mbi 1 milionë euro dhe përkrahje financiare me bursë për studentët, ku 107 të rinj e të reja do të përfitojnë bursë vjetore në shumë prej 1.000 euro, në vlerën totale prej 107 mijë euro;


-Për herë të parë vitin e kaluar kemi dërguar libra në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës, në vlerën prej 255 mijë eurove;


-Në muajt qershor dhe tetor, Qeveria ka ndarë gjithsej 85 mijë euro të tjera shtesë për këto libra;


-Bursa për studentë në vlerë 107,000.00 euro


-Paisja me libra për parashkollor në vlerë 8,778.00 euro;


-Shkollat sportive në vlerë :(në futboll, basketboll, boks, karate, volejboll, atletikë, etj.) 157,500.00 euro.


Si Qeveri e Ministri e Arsimit, Luginës së Preshevës i kushtojmë vëmendje të veçantë. Lugina ka nevojë për më shumë, andaj do vazhdojmë angazhimin që brenda kapaciteteve tona, të bëjmë më shumë për ta.



Comments are closed.