Take a fresh look at your lifestyle.

Paqartësi rreth shërbimeve të internetit në marrëveshjen për roaming mes vendeve të Ballkanit – Lajmet e fundit



Paqartësi rreth shërbimeve të internetit në marrëveshjen për roaming mes vendeve të BallkanitFoto: Zëri




“Duke filluar nga 1 korriku 2021, ju nuk do të paguani tarifa shtesë për thirrjet, SMS dhe internetin që do të përdorni gjatë udhëtimit në rajon, në krahasim me atë që paguani kur jeni në shtëpi, në vendin tuaj. Ky model quhet ‘Fol si n’shpi’, sipas të cilit minutat, SMS dhe GB-të që ju do të konsumoni jashtë vendit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të tarifohen ose zbriten nga shpenzimet e planit tuaj tarifor sikur të ishit në shtëpi. Në lidhje me përdorimin e internetit, operatorët celularë mund të zbatojnë një të ashtuquajtur limit të të dhënave të përdorimit të drejtë gjatë roamingut, në përputhje me politikën e përdorimit të drejtë. Ndaj ju lutemi që të kontrolloni e të informoheni, për detajet e mëtejshme, me operatorin tuaj telefonik”.


Kështu ka thënë Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) në një njoftim sqarues në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes Rajonale të Roamingut, e nënshkruar në prill të vitit 2019, mes të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, raporton Zeri.info


Ky sqarim vjen pasi konsumatorë të shumtë kanë hasur në mungesë informatash nga operatorët lokalë të telefonisë mobile, sidomos në lidhje me tarifat për përdorim të data-internetit.


RCC-ja u ka bërë thirrje operatorëve të telefonisë celulare dhe autoriteteve rregullatore kombëtare, që të sigurojnë zbatimin dhe komunikimin e duhur të kësaj marrëveshjeje në vendet e tyre.


Për më tepër, RCC-ja këshillon qytetarët që të kontaktojnë operatorët e tyre celularë, për informacion të detajuar e të saktë.


“Marrëveshja Rajonale e Roaming është e qartë dhe thotë: ‘Që nga 1 korrik 2021, ofruesit e roamingut në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nuk do të vendosin dhe tarifojnë asgjë tjetër përveç çmimit të brendshëm me pakicë për klientët që lëvizin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tarifa 0 është për çdo thirrje hyrëse e dalëse, për çdo mesazh SMS të dërguar si edhe për të gjitha shërbimet që ofrohen brenda roamingut, përfshirë mesazhet MMS, ose ndonjë tarifë të përgjithshme, për të bërë të mundur që pajisjet terminale ose shërbimet të përdoren jashtë vendit”, citon RCC-ja një pikë të marrëveshjes.


Ndërkaq, edhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka njoftuar se konsumatorët e telefonisë mobile gjatë qëndrimit në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe Serbi), nga data 1 korrik 2021, nuk do të paguajnë asnjë tarifë shtesë për shërbimet e rregulluara të roamingut (thirrjet e realizuara ose pranuara, SMS të dërguar dhe të dhëna/data të shfrytëzuara), përveç tarifës e cila aplikohet në Republikën e Kosovës (Roam Like at Home – RLAH).


“Sidoqoftë, për hir të informimit të drejtë të konsumatorëve, operatorët kanë të drejtë që në planet e tyre tarifore të ofrojnë pako pa roaming. Kalimi/transferimi midis planeve tarifore me ose pa shërbime roaming duhet të ndjekë të njëjtat procedura si kalimi midis planeve tarifore të tjera të zakonshme në Republikën e Kosovës. Vetëm konsumatori ka të drejtë të fillojë një proces ndryshimi të planit tarifor, dhe gjithashtu konsumatori duhet të japë pëlqimin e shprehur përpara çdo ndryshimi të planit tarifor”, thotë ARKEP-i, raporton Zeri.info.


Më tej, ARKEP-i thotë se ofruesit e shërbimeve të telefonisë mobile në Kosovë nuk duhet të aplikojnë tarifë shtesë për SMS-ët e pranuar dhe voicemail nga parapaguesit gjatë shfrytëzimit të shërbimeve të roamingut. Ndërkaq, dëgjimi i “Voicemail”, sipas ARKEP-it, mund të jetë objekt i tarifimit nga operatori.


“Pas datës 1 korrik 2021 operatorët nuk mund të aplikojnë tarifa shtesë për parapaguesit pa autorizim paraprak për një veprim të tillë nga ARKEP-i në përputhje me politikën e përdorimit të drejtë FUP (Fair Usage Policy). Sidoqoftë, operatorët mund të aplikojnë tarifa shtesë në rastin kur niveli i konsumimit të të dhënave e kalon volumin e lejuar (fair use volume limit), i cili është i specifikuar në kontratën me parapaguesin. Informatat më të detajuara lidhur me përdorimin e shërbimeve të roamingut, janë paraqitur në Rregulloren e FUP (linku: http://www.arkep-rks.org/?cid=1,34,1272) dhe Udhëzuesin për Konsumatorë për RLAH (linku: http://www.arkep-rks.org/?cid=1,27)”, ka thënë Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, raporton Zeri.info.


ARKEP-i ka thënë se do të verifikojë për së afërmi zbatimin e Marrëveshjes së Roamingut.


Deri më tani, operatori telefonik IPKO ende nuk ka publikuar ndonjë njoftim apo pako të re rreth përdorimit të data-internetit gjatë qëndrimit të konsumatorëve të vetë në vendet e rajonit. Në ueb-faqen e kësaj kompanie gjenden vetëm disa pako të mëhershme për shërbime në shtetet e Ballkanit Perëndimor.


Ndërkaq, operatori tjetër “Vala” ka përpiluar disa pako për përdorim në shtetet e Ballkanit Perëndimor pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për roaming pa pagesë shtesë.


Por, qytetarët kanë edhe paqartësi tjera në lidhje me zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Një nga to ka qenë edhe çështja se a vlen marrëveshja edhe për përdoruesit e pakove të ndryshme nga operatorët telefonikë lokalë.


“Po, vlen për të gjithë llojet e abonentëve”, thotë RCC-ja.


Pyetje tjetër e zakonshme është edhe çështja nëse ka kufizim të sasisë për thirrjet, SMS- të dhe internetin, ndërsa një person lëviz në rajon.


“Nuk ka kufizime në lidhje me përdorimin e telefonatave dhe SMS kur jeni në roaming. Në lidhje me përdorimin e internetit, operatorët celularë mund të zbatojnë një të ashtuquajtur limit të të dhënave të përdorimit të drejtë gjatë roamingut, në përputhje me politikën e përdorimit të drejtë. Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni operatorin tuaj celular”, thekson RCC-ja në një dokument me pyetje të përmbledhura nga qytetarët.


Ndërkaq, çështje tjetër e pasqaruar deri më tani ka qenë edhe ajo se çfarë ndodh nëse një përdorues, gjatë përdorimit të roamingut, i shpenzon të gjitha minutat, mesazhet apo edhe internetin që i ka të parapaguara apo paspaguara.


RCC-ja thotë se në rast se në këtë rast “do të tarifoheni sipas tarifave kombëtare”.


Shumë qytetarë të Kosovës, gjatë qëndrimit të tyre për pushime në bregdetin shqiptar, praktikonin blerjen e kartave të përkohshme lokale SIM në mënyrë që të mund të bënin dhe pranonin thirrje nga shtëpia, ose edhe të përdornin internetin e brendshëm (data) gjatë qëndrimit atje me kushte shumë më të lira.


Mirëpo, kjo praktikë tanimë nuk ka pse të përdoret, thotë RCC-ja.


“Nëse udhëtoni në mënyrë periodike dhe qëndroni për një periudhë të shkurtër kohe në një pjesë tjetër të Ballkanit Perëndimor, përgjigjja është jo (nuk keni nevojë të blini kartë të përkohshme SIM). Por, nëse planifikoni të jeni në një pjesë tjetër të Ballkanit Perëndimor për një periudhë më të gjatë, duhet të kontrolloni politikën e përdorimit të drejtë të aplikuar nga operatori juaj celular për të vendosur se çfarë është më e mira në rastin tuaj”, thekson Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).


Marrëveshja për tarifa zero të roamingut u arrit midis qeverive të rajonit, autoriteteve rregullatore dhe operatorëve celularë, një proces ky i lehtësuar nga RCC-ja dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian.


Në vijim, pyetjet më të shpeshta rreth zbatimit të marrëveshjes së roamingut “Fol si n’shpi”:


Pyetjet që bëhen zakonisht:


1. Çfarë do të thotë saktësisht roaming?


Roaming është një shërbim i ofruar nga operatorët celularë, që ju lejon të përdorni telefonin tuaj teksa udhëtoni jashtë vendit për të folur, për të dërguar mesazhe dhe për të përdorur internetin.


2. A është e vërtetë se, që prej 1 Korrikut 2021, nuk do të ketë tarifa roaming kur të udhëtoj në rajonin e Ballkanit Perëndimor?


Po është e vërtetë. Duke filluar nga 1 Korrik 2021, ju nuk do të paguani tarifa shtesë për thirrjet, SMS dhe internetin që do të përdorni gjatë udhëtimit në rajon, në krahasim me atë që paguani kur jeni në shtëpi, në vendin tuaj. Ky model quhet fol si n’shpi, sipas të cilit minutat, SMS dhe GB-të që ju do të konsumoni jashtë vendit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të tarifohen ose zbriten nga shpenzimet e planit tuaj tarifor sikur të ishit në shtëpi. Në lidhje me përdorimin e internetit, operatorët celularë mund të zbatojnë një të ashtuquajtur limit të të dhënave të përdorimit të drejtë gjatë roamingut, në përputhje me politikën e përdorimit të drejtë. Ndaj ju lutemi që të kontrolloni e të informoheni, për detajet e mëtejshme, me operatorin tuaj telefonik.


3. Ku saktësisht mund të udhëtoj dhe të flas si në shtëpi?


Ju mund të flisni si në shtëpi në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor (d.m.th. Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni Veriore dhe Serbi), nëse jeni i abonuar me një prej operatorëve celularë të Ballkanit Perëndimor.


4. A zbatohet parimi “Fol si n’shpi” nëse unë telefonoj çdo vend të rajonit kur jam në roaming, apo vetëm nëse telefonoj vendin tim?


Po, parimi “fol si n’shpi” do të zbatohet në çdo rast, pavarësisht nëse jeni duke telefonuar në vendin tuaj apo ndonjë operator tjetër celular të Ballkanit Perëndimor.


5. A vlen “Fol si n’shpi” për telefonata, SMS ose internet?


Nuk do të ketë tarifa shtesë roaming për të gjitha shërbimet e roamingut: thirrjet, SMS dhe internet sa herë që jeni duke përdorur shërbime roaming në Ballkanin Perëndimor. Në lidhje me përdorimin e internetit, operatorët celularë mund të zbatojnë një të ashtuquajtur limit të të dhënave të përdorimit të drejtë gjatë roamingut, në përputhje me politikën e përdorimit të drejtë. Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni operatorin tuaj celular.


6. Fol si n’shpi” zbatohet vetëm kur unë bëj telefonatë, apo edhe kur marr një telefonatë, ndërsa jam në roaming?


Nuk do të ketë tarifa shtesë roaming për asnjërën: as për thirrjet e dalëse e as për ato hyrëse.


7. “Fol si n’shpi” vlen vetëm për parapaguesit apo edhe për abonentet që paguajnë më pas?


Po, vlen për të gjithë llojet e abonentëve.


8. “Fol si n’shpi”, a është automatik apo duhet ta aktivizoj?


Ju nuk keni pse të bëni asgjë, është automatike, pasi operatorët celularë në rajon do të aplikojnë automatikisht modelin “Fol si n’shpi”.


9. A mbulon “Fol si n’shpi” thirrjet që bëj nga vendi im në pjesë të tjera të rajonit?


Jo, thirrje të tilla nuk janë thirrje roaming. Kur telefononi ndërsa jeni në vendin tuaj nuk jeni në roaming dhe “Fol si n’shpi” nuk zbatohet.


10. Nëse udhëtoj në rajon dhe telefonoj dikë, a duhet të shqetësohem nëse s’po e telefonoj në celular por në numër fiks?


“Fol si n’shpi” zbatohet për të gjitha telefonatat roaming në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në përputhje me planin tuaj tarifor.


11. A zbatohet “Fol si n’shpi” kur përdor WiFi ndërsa udhëtoj në rajon?


Kur përdorni WiFi, nuk po përdorni shërbime roaming, prandaj “Fol si n’shpi” nuk zbatohet.


12. A ka ndonjë kufizim të sasisë për thirrjet, SMS- të dhe internetin, ndërsa unë lëviz në rajon?


Nuk ka kufizime në lidhje me përdorimin e telefonatave dhe SMS kur jeni në roaming. Në lidhje me përdorimin e internetit, operatorët celularë mund të zbatojnë një të ashtuquajtur limit të të dhënave të përdorimit të drejtë gjatë roamingut, në përputhje me politikën e përdorimit të drejtë. Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni operatorin tuaj celular.


13. Çfarë ndodh nëse i shpenzoj gjatë përdorimit të roamingut të gjitha minutat, mesazhet apo edhe internetin që kam si një klient i parapaguar / paguar me pas?


Në rast se i shpenzoni të gjitha njësitë që keni, pavarësisht nëse jeni të parapaguar ose të abonuar për çdo thirrje shtesë, SMS apo internet do të tarifoheni sipas tarifave kombëtare.


14. A mund të marr telefonata ndërsa jam në roaming nëse jam një klient me parapagim dhe kam shpenzuar gjithçka që kam në llogarinë time?


Po, vlejnë të njëjtat rregulla si në shtëpi, prandaj mund të merrni telefonata. Thirrjet hyrëse janë falas, njësoj si të jesh në shtëpi.


15. A ka ndonjë afat kohor për përdorimin e telefonit tim celular jashtë vendit dhe për të folur si në shtëpi?


Nëse kaloni më shumë kohë në shtëpi (jeni më shumë në rrjetin tuaj të brendshëm) sesa jashtë vendit, ose e përdorni celularin tuaj më shumë në vendin tuaj sesa jashtë vendit, mund të flisni si në shtëpi në rajon. Sidoqoftë, nëse operatori juaj celular vendos që në 4 muajt e fundit të keni kaluar pjesën më të madhe të kohës tuaj jashtë vendit dhe të keni konsumuar më shumë njësi jashtë vendit, do të merrni një SMS dhe do t’ju kërkohet të përshtatni konsumin e trafikut me politikën e përdorimit të drejtë. Nëse nuk ndodh në 2 javët e ardhshme, do të tarifoheni shtesë për trafikun, d.m.th:


• 3.2 cent euro për minutë të telefonatave të bëra.


• 1.6 euro cent për minutë të telefonatave të marra.


• 1 euro për SMS.


• 0,77 euro cent për MB e cila do të ulet çdo vit deri në 1 janar 2026. Për më shumë informacion, ju lutemi lidhuni me operatorin tuaj celular.


16. A është akoma një ide e mirë që të marrësh një kartë SIM të përkohshme lokale, kur udhëton në rajon?


Nëse udhëtoni në mënyrë periodike dhe qëndroni për një periudhë të shkurtër kohe në një pjesë tjetër të Ballkanit Perëndimor, përgjigjja është jo. Por, nëse planifikoni të jeni në një pjesë tjetër të Ballkanit Perëndimor për një periudhë më të gjatë, duhet të kontrolloni politikën e përdorimit të drejtë të aplikuar nga operatori juaj celular për të vendosur se çfarë është më e mira në rastin tuaj.


17. Po sikur të udhëtoj në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të tarifohem ekstra?


Në këtë rast duhet të kontaktoni menjëherë operatorin tuaj celular.


18. A janë ulur edhe tarifat e roamingut me BE?


Jo, por diskutimet mbi uljen e tarifave të roamingut midis Ballkanit Perëndimor dhe BE janë në proces.


Për më shumë informacion, shikoni faqet zyrtare të Autoriteteve Kombëtare Rregullatore, në vendet e Ballkanit Perëndimor:


Shqipëria: https://www.akep.al/


Bosnja & Hercegovina: https://www.rak.ba/bs-Latn-BA/


Kosova: http://www.arkep-rks.org/


Mali i Zi: https://ekip.me/


Maqedonia e Veriut: https://aek.mk/


Serbia: https://www.ratel.rs/cyr/ /Zëri


Comments are closed.