Take a fresh look at your lifestyle.

Prokuroria deklarohet pas aksionit të sotëm në Brezovicë – Lajmet e fundit



Prokuroria deklarohet pas aksionit të sotëm në Brezovicë




Autoritet në Kosovë, të enjten kanë filluar një inspektim të jashtëzakonshëm për skanimin e gjendjes në qendrën turistike “Brezovica”, tha Rasim Maloku, prokuror i Prokurorisë Themelore në Ferizaj.


“Qëllimi i këtij aksioni është identifikimi i të gjitha objekteve ndërtimore, në cilën zonë janë dhe a kanë lejë ndërtimi. Sot e kemi skanuar gjendjen në terren, e identifikojmë cilën kadastrale gjendet, më pas vërtetojmë se a kanë leje objektet dhe pronë e kujt janë,” tha Maloku.


Në këtë inspektim kanë marrë pjesë përfaqësues të drejtorisë se Parkut Kombëtar “Sharri”, inspektorët e Ministrisë se Mjedisit, inspektorët komunal të Shtërpcës dhe zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.


Ky inspektim, tha Maloku është në kuadër të hetimit “Brezovica”.Për rastin “Brezovica” në muajin mars të këtij viti janë arrestuar shtatë persona, tre ish-zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër persona, pronarë të kompanive private.


Edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar 2022, Policia e Kosovës ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”


Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.


Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq kërkohet nga autoritetet në Kosovë për dyshime se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në çështjen e njohur si “Brezovica”.


Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.


Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.


Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.


Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.


Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht./rel


Comments are closed.