Take a fresh look at your lifestyle.

Rajoni i Mitrovicës përballet me probleme nga ujërat atmosferike

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sipas raportimeve të sotme, nivel më të shtuar të ujërave si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit ka në pjesën veriore dhe veri-perëndimore të vendit.

Sipas PK-së, sot probleme si pasojë e ujërave atmosferike ka në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht në rrugën  Pestovë-Druare–Prelluzhe-Plemetin  të komunës së Vushtrrisë dhe rrugët  ‘2 Korriku’ dhe ‘Hoxhë Hasan Tahsini’, në komunën e Mitrovicës Jugu dhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë Veri, ku ka nivel të rritur të ujit.

“Nga raportimet e fundit nga rajonet tjera nuk ka situata ku lumenjtë kanë dalë nga shtrati ose të ketë vërshime. Policia apelon tek qytetarët që për çdo rast të kërkesave për ndihmë, të thërrasin në numrat përkatës të institucioneve si policia, AME, komunat përkatëse, apo zjarrfikësit.”, ka informuar Policia.

Ndryshe, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, në disa qytete të Kosovës ka pasur vërshime.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, sot ka informuar se pas ndaljes së reshjeve të shiut, vendi ka kaluar natë të qetë, por me intervenime të ndryshme në zona të caktuara. Sipas MPB-së, aktualisht, po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se reshje me intensitet të ndryshuar pritet të ketë deri më 25 janar.

Comments are closed.