Take a fresh look at your lifestyle.

Rakiqi nxit tensione: Kurti haptazi po sugjeron vrasjen e serbëve nëpër barrikada – Lajmet e fundit



Rakiqi nxit tensione: Kurti haptazi po sugjeron vrasjen e serbëve nëpër barrikada




Anëtari i Shtabit të Krizave, Goran Rakiq, ka thënë sot se kryeministri i Kosovës Albin Kurti “haptazi sugjeron vrasjen e serbëve në barrikada” dhe se barrikadat do të hiqen kur serbët e arrestuar të lirohen, njësitet speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga veriu i Kosovës dhe “hiqen listat për vrasjen e serbëve”.


Rakiqi ka theksuar se Prishtina po tregon se nuk i respekton marrëveshjet, si dhe të drejtat e popullit serb në Kosovë.


“Narativa antiserbe e Prishtinës ka vazhduar me muaj të tërë dhe populli ynë e ka ndjerë vetë se sa shumë Prishtina kujdeset për respektimin e të drejtave të popullit tonë dhe marrëveshjet e nënshkruara. Deklarata e fundit e Albin Kurtit tejkaloi çdo masë. Kurti haptas sugjeron vrasjen e serbëve në barrikada, sepse sipas tij barrikadat nuk mund t’i heqë në asnjë mënyrë tjetër”, tha Rakiqi në një video, ku shihet duke folur pranë një barrikade në Leposaviq, transmeton Zeri.info.


Siç ka thënë ai, thirrja e Kurtit ka kaluar pa reagim nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.


“Ai po bën thirrje për vrasjen e nënave tona, motrave tona, punëtorëve, mjekëve dhe profesorëve tanë që luftojnë ditë e natë dhe në mënyrë paqësore kundër terrorit të tij. Fatkeqësisht, ky kërcënim shkon pa përgjigje nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, gjë që është e papranueshme”, shtoi Rakiqi.


Sipas tij, heqja e barrikadave është shumë e lehtë, derisa tregoi kushtet.


“Lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive nga veriu i Kosovës dhe Metohisë, heqja e të gjitha listave dhe listave sekrete për vrasjen e serbëve”, tha Rakiqi.


Deklaratat e Rakiqit vinë pas atyre të Kurtit, i cili siç ka raportuar The Guardian ka thënë se largimi i barrikadave në veri të vendit nuk mund të përjashtojë fatkeqësitë.


“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë fatkeqësitë”, tha ai.


“Kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt, aq më mirë”, shtoi Kurti. /Zëri


Comments are closed.