Take a fresh look at your lifestyle.

Te “Kafet e rakisë” me kalldrëm, qytetarët nostalgjikë për Prishtinën e vjetër

Rruga “2 Korriku” në Prishtinë do të shndërrohet në rrugë me kalldrëm, e cila do jetë me mundësi kalimi vetëm për këmbësorë. Transformimi i kësaj rruge, që ndryshe quhet te “Kafet e Rakisë” po pëlqehet nga qytetarët, të cilët thonë se do t’u ngjasojë me Prishtinën e vjetër.

Qytetari Nasuf Zena thotë për KosovaPress se ideja për shtrimin me kubëza të rrugës “2 Korriku” është e mirë.

Ai potencon se Prishtina do duket shumë më mirë dhe do ngjasojë me qytetin e vjetër dikur.

“Sa i përket ndërtimit të kësaj rruge, unë besoj se është ide shumë e mirë. Shtrimi i saj në kubëza, ka qenë keq kjo para tyre dhe besoj që Prishtina do të duket shumë më mirë dhe do të ngjasojë me Prishtinën e vjetër kur ka qenë dhe do të ngjallë nostalgjinë e njerzëve pak më të vjetër”, thotë ai.

Januz Dautaj thotë se po i pëlqen transformimi i rrugës “2 Korriku” me kalldrëm. Ai shton se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është duke punuar.

Ismet Hoti shprehet shtrimi i rrugës në fjalë në kalldrëm, do të tregojë se sa e vjetër është Prishtina.

Ai thekson se Prishtina është duke ndryshuar.

Ndërsa, qytetari nga Korça, i cili banon në Prishtinë, Besmir Korça potencon se kjo rrugë tregon një kulturë antike, derisa kujton vendin e tij, që është e shtruar me kalldrëm.

Ndërkaq, Sadik Vrajolli thekson se me transformimin e kësaj rruge, ndjenja për qytetin e vjetër të Prishtinës do të jetë prezente gjithmonë për ata që e kanë përjetuar atë kohë.

Kujtojmë që, punimet e rrugës “2 Korriku” kanë filluar më 3 prill, ndërkaq pritet të përfundojnë brenda këtij muaji.

Comments are closed.