Take a fresh look at your lifestyle.

Çfarë thoshte Mit’hat Frashëri mbi origjinën e konfliktit italo-shqiptar – Lajmet e fundit



Çfarë thoshte Mit’hat Frashëri mbi origjinën e konfliktit italo-shqiptar




“L’Information financière, économique et politique” ka botuar, të premten e 18 qershorit 1920, në ballinë, intervistën ekskluzive të Mit’hat Frashërin mbi origjinën asokohe të konfliktit italo-shqiptar.



Image

Ngjarjet e Vlorës dhe vrasja e Esad Pashë Toptanit e kanë nxjerrë në sipërfaqe çështjen e përjetshme shqiptare të lidhur aq ngushtë, siç mund ta shohim, me atë të Adriatikut. Shqiptarët që i dhanë vetes një qeveri kombëtare në kuvendin e Durrësit në shkurt 1919 dhe në atë të Lushnjes në janar 1920, kërkojnë vetëm pavarësinë e tyre, në përputhje me traktatin e parë të Londrës të vitit 1913, në të cilin ata kërkojnë që të rikthehen, pavarësisht nga kombinimet diplomatike që kanë ndodhur që atëherë. Qeveria shqiptare, e cila tani ndodhet në Tiranë, përbëhet nga 10 anëtarë, 4 prej të cilëve, që formojnë Drejtorinë e Lartë (Këshillin e Lartë të Regjencës), janë Imzot Bumçi, Dr. Mihal Turtulli, Aqif Pashë Elbasani dhe Abdi Toptani, kushëri, por kundërshtar politik i Esad Pashës. Kryetari i delegacionit shqiptar në Paris është që nga rikthimi i Imzot Bumçit, zoti Konica.


Si gjenden sot shqiptarët në konflikt me italianët që pretendojnë se nuk kanë qëllim tjetër përveç mbrojtjes së tyre kundër serbëve dhe grekëve ? Padyshim që orekset e Italisë për Shqipërinë nuk janë të kohëve të fundit. Roma pushtoi rrugët dhe pikat strategjike të këtij vendi. Në shekullin e pesëmbëdhjetë, pas vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeut, Venediku u përpoq të vendosej atje. Cila është më konkretisht origjina e konfliktit aktual ? Për këtë, shkuam të pyesnim delegacionin shqiptar.Edhe pse na sigurojnë se “shqiptari që s’ka pushkë nuk është shqiptar”, zoti Frashëri që na pret nuk ka asgjë të një mbreti malësor, madje është i paarmatosur. Ai na siguron se bashkatdhetarët e tij nuk janë barbarë të paaftë për t’u vetëqeverisur, por patriotë të lodhur nga nënshtrimi ndaj zgjedhës së të huajve.


“Ajo që ne i qortojmë, tha ai, Italisë, është që, pavarësisht pretendimeve të saj për të mbrojtur integritetin e territorit shqiptar kundër fqinjëve të saj sllavë apo grekë, është se ajo ishte autore e traktatit sekret të Londrës të vitit 1915 për copëtimin e Shqipërisë; se ka dashur, në bazë të marrëveshjes së 20 janarit 1920, të sakrifikojë Shkodrën te jugosllavët për të marrë Fiumen, se ka dashur të sakrifikojë Korçën dhe Gjirokastrën te grekët për të marrë Vlorën dhe mandatin mbi Shqipërinë. Ne qortojmë autoritetet ushtarake italiane që sillen në Shqipëri si në një vend të pushtuar, që shfrytëzojnë çdo mundësi për të poshtëruar krenarinë tonë kombëtare dhe për të vënë në siklet qeverinë tonë në Tiranë. Dërgimi i kolonel Castoldi-t helmoi marrëdhëniet italo-shqiptare. Qeveria refuzoi të njihte titullin e tij të komisionerit të lartë mbretëror dhe njoftoi Romën se mund ta njihte atë vetëm si konsull ose ministër.Një lëvizje kryengritëse kundër qeverisë në Tiranë shpërtheu pak javë më parë, e cila zgjati vetëm një ditë, sepse bazohej vetëm mbi baza artificiale. Udhëheqësit ishin mbështetës të Esadit, njëri prej të cilëve ishte ndihmuar nga serbët, dhe tjetri kishte marrë armë dhe municione nga vetë koloneli Castoldi, siç thotë “El Tempo”, armët u kthyen sot kundër italianëve, të cilët, shihni, u vëllazëruan kundër nesh me serbët dhe Esad Pashën.


Lëvizja aktuale, vijon zoti Frashëri, nuk mund të drejtohet siç pretendon shtypi italian, as nga grekët që lakmojnë krahinat tona jugore dhe me të cilët për pak luftuam gjatë evakuimit të Korçës nga francezët, 28 majin e kaluar, as nga jugosllavët që lakmojnë krahinat tona veriore dhe nxitën intrigat antinacionaliste të Esadit, as më në fund nga turqit, sepse i ashtuquajturi Mustafa Kemal për të cilin folëm nuk ekziston në Shqipëri, dhe nëse ai është lider i lëvizjes nacionaliste turke, të gjithë e dinë se aktualisht ndodhet në Azinë e Vogël, shkruan diasporashqiptare.


Në këtë moment, përfundon zoti Frashëri, italianët që nuk guxojnë të zbarkojnë në breg, po shkatërrojnë me luftanijet e tyre të gjitha fshatrat në afërsi të Vlorës. Ata dërguan 3000 banorë të qytetit në ishullin e shkretë Sazanit, ku nuk ka strehë apo ujë të pijshëm. Vetë populli italian, me të cilin ne kërkojmë vetëm të kemi marrëdhënie të mira, është indinjuar dhe ka treguar, duke kundërshtuar largimin e përforcimeve, se është kundër politikës imperialiste të Konsultës.”


Comments are closed.