Take a fresh look at your lifestyle.

EULEX-i e përsërit qëndrimin e Borellit se ky mision s’mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës – Lajmet e fundit



EULEX-i e përsërit qëndrimin e Borellit se ky mision s’mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës




Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e ka përsëritur qëndrimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borell, se EULEX-i s’mund ta zëvendësojë rolin e Policisë së Kosovës në veri të vendit.


“EULEX-i mund të plotësojë vetëm pjesërisht vakumin e sigurisë që u krijua në veri të Kosovës pas dorëheqjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Megjithatë, EULEX-i nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës”, ka thënë EULEX-i.


EULEX-i ka thënë se ka rritur ndjeshëm patrullimin në veri të Kosovës, në koordinim me policinë e vendit dhe KFOR-in.


“EULEX-i tashmë ka rritur ndjeshëm patrullat e Njësisë Policore të Specializuar dhe Njësisë Rezervë të Policisë së Specializuar në veri të Kosovës në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, në mënyrë që të monitorojë nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka shtuar EULEX-i.


Sipas Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, që nga 16 nëntori, në komunat veriore po patrullojnë në këmbë edhe oficerët e Njësisë Policore të Specializuar dhe njësisë rezervë.


“EULEX-i monitoron situatën në pikat e përbashkëta të kalimit në Jarinjë dhe Bërnjak duke përfshirë edhe praninë e Njësisë Policore të Specializuar. Pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuar dhe Njësisë Rezervë të Policisë së Specializuar punojnë me turne dhe po kryejnë patrullime 24/7”, ka shtuar ky mision në një përgjigje për Klan Kosova.


Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it përbëhet nga 105 policë polakë.


“Më 8 nëntor, një njësi policore e formuar rezervë e përbërë nga 23 xhandarë nga karabinierët italianë u dislokua përkohësisht në Kosovë për të përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it.  Ndërkaq, më 17 nëntor, pesë policë shtesë nga Lituania iu bashkuan Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it”, ka shtuar ky mision.


Comments are closed.