Take a fresh look at your lifestyle.

Hiqen barrikadat dhe rihapen pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak – Lajmet e fundit



Hiqen barrikadat dhe rihapen pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak




Pas heqjes së barrikadave në veri të vendit, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë rihapur pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, transmeton Zeri.info.


Njoftimi i plotë i Policisë:


Policia e Kosovës bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore në vazhdimësi ka bërë vlerësime mbi situatën e sigurisë në veri të vendit, e cila ishte përkeqësuar që nga data 10.12.2022 kur ishin vendosur barrikadat në rrugë, si pasojë e të cilave ishin mbyllur edhe dy pikë-kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak.


Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.


Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike.


Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim.


Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.


Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare


Comments are closed.