Take a fresh look at your lifestyle.

Kandiq: Në zonat ku veproi Deliq në Kosovë, janë vrarë mbi 2000 civilë

Aktivistja Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka komentuar zgjedhjen e Bozhidar Deliq për nënkryetar të Kuvendit të Serbisë, i cili gjatë luftës ka udhëhequr një brigadë në Kosovë ku ndodhën krimet më të rënda kundër shqiptarëve.

Kandiq thotë për RTK se janë dokumentuar mbi dy mijë civilë të vrarë në zonat ku ka komanduar gjenerali serb.

“Deliq ka qenë në zonën e Prizrenit, Rahovecit, Suharekës, Dragashit. Një numër i madh i krimeve kanë ndodhur në ato komuna. Janë dokumentuar mbi 2 mijë civilë të vrarë, janë gjetur mbetje mortore për më shumë se 450 të vrarë. Këto janë arsye të mjaftueshme që prokuroria të merret seriozisht dhe të ngrejë aktakuzë, por asgjë nuk ndodh dhe nuk pritet”, tha Kandiq.

Deliq vjen nga grupi i partisë së djathtë NADA. Më herët ka qenë anëtar i Partisë Radikale dhe i Partisë Progresive së Aleksandar Vuçiq. Disa herë ka qenë anëtar i parlamentit. Pasi në Serbi nuk ka pengesa ligjore për një angazhim të tillë të ish-komandantëve të luftës, pjesëmarrja e tij në jetën institucionale është e hapur.

Të dënuar për krime lufte ose ata që ishin komandantët e luftërave, janë pjesë e jetës politike dhe publike në Serbi për një kohë të gjatë. Edhe pse disa organizata joqeveritare kërkojnë që të ndryshohet praktika e tillë, një ndryshim në qëndrimin zyrtar e Serbisë ndaj luftërave të viteve 90-ta, nuk shihet se mund të ndodhë së shpejti.

Comments are closed.