Take a fresh look at your lifestyle.

Kurti takon kreun e BSPK-së, nuk ka paralajmërim për ndërprerje të grevës

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave Hekuran Murati zhvilluan sot takim me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, me të cilën diskutuan për grevën e shpallur nga BSPK-ja dhe kërkesën sindikale për shtesën 100 euro.

Kurti njoftoi me këtë rast Hykollin se Projektligji për Pagat e Sektorit Publik këtë javë ka përfunduar fazën e konsultimeve paraprake dhe se gjatë javës që vjen do të dalë në konsultime publike, teksa e ftoi BSPK-në që të bëhet pjesë e këtyre konsultimeve.

Ndërkohë që javën e kaluar është prezantuar pakoja e re për Përballje me Inflacionin që është vazhdimësi e mbështetjes ndaj qytetarëve nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe punonjësit e sektorit publik, ka thënë Kurti.

Përveç mbështetjes direkte financiare, ku përfitojnë të punësuarit në sektorin publik e privat, studentët, familjet në asistencë sociale e pensionistët, pakoja parasheh edhe lehtësim të barrës së faturave të energjisë elektrike për ata që kursejnë. Kjo mbështetje që po u bëhet qytetarëve është më e madhja në rajon por edhe më gjerë, shtoi Kurti.

Më tej ai tha se Qeveria që drejtohet nga ai ka treguar gatishmëri për të adresuar kërkesa sindikale që trajtojnë në mënyrë sistematike problemet e punëtorëve të sektorit publik.

Si dëshmi mori vendimet e MASHTI-t për të ndarë 1.7 milionë euro për 300 mësimdhënës me probleme shëndetësore, për buxhet shtesë për mësimdhënësit që kualifikohen si tepricë ashtu që mos të mbesin pa punë, trajtimin e barabartë të mësuesve klasorë dhe lëndorë në arsimin e mesëm të ulët, eliminimin e padrejtësive ndërmjet të gjitha kategorive të punëtorëve të arsimit dhe renditjen e mësimdhënësve me koeficientin më të lartë ndonjëherë sipas projektligjit të ri, thuhet në komunikatën e postuar të Qeverisë në faqen e saj zyrtare.

Ndryshe, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë bëri sot të ditur se nuk është arritur marrëveshje për plotësimin e kërkesave të tyre, andaj greva e nisur më 25 gusht në arsim do të vazhdojë.

Comments are closed.