Take a fresh look at your lifestyle.

Osmani: Të mos ngrihen lartë shpresat për liberalizimin e vizave – Lajmet e fundit



Osmani: Të mos ngrihen lartë shpresat për liberalizimin e vizave





Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se nuk duhet ngrihen lartë shpresat për liberalizimin e vizave, edhe pse sipas saj, Kosova ka bërë punën e vet.

Osmani tha se ka marrë konfirmim edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron për mbështetje, por sipas saj, duhet të jemi të kujdesshëm.

“Vendimi për liberalizim të vizave është te duart e shteteve anëtare veç e veç”, tha Osmani në një intervistë, për rtv21.

Presidentja më tej foli edhe për politikën e Serbisë karshi Kosovës, duke theksuar se e njëjta po vazhdon me një proces korruptiv dhe ilegal të çnjohjeve.

“Serbia vazhdon me një proces korruptiv dhe ilegal që ata e quajnë proces të çnjohjeve, ata e kanë bërë edhe sa ka qenë në fuqi marrëveshja e Washingtonit”, tha ndër të tjera Osmani.


Sipas të parës së shtetit, Kosova ka hapur shumë dyer dhe ka hapur kontakte me shtetet jo njohëse.

Presidentja foli edhe për takimin që pati me Presidentin e SHBA-së, Joe Biden.

Ajo tha se Bideni përsëri shprehu përkushtimin dhe mbështetjen e tij për Kosovën.

“Kisha rast te bisedoja me presidentin Biden, dhe natyrisht ai e shprehu përkushtimin dhe mbështetjen e madhe për Kosovën, mbështetje qe ka ekzistuar që nga vitet e 90-ta”, tha Osmani.

Ajo foli edhe për marrëveshjen Beograd-Moskë, që sipas saj kjo është dëshmi që Serbia nuk është pro rrugës për BE.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes Beograd-Moskë, u dëshmua se Serbia nuk shkon rrugës pro BE-së dhe u dëshmua se i shërben vetëm Putinit”, tha Osmani ndër tjera.

Më tej, presidentja foli edhe për dialogun me fqinjin tonë, duke thënë se ka përpjekje intensive që ky proces të fokusohet në një marrëveshje finale.

“Ka përpjekje intensive që dialogu me Serbinë të fokusohet në një marrëveshje finale dhe kjo besohet që është në të mirë të procesit”, tha Osmani.

Presidentja e vendit komentoi edhe grevën në arsim, duke thënë se “Dëmi që po iu bëhet fëmijëve është i jashtëzakonshëm, i pariparueshëm”.

Osmani bëri thirrje që të hapen shkollat, sepse nxënësit janë dëmtuar shumë. Sipas saj, greva është e drejtë ligjore, “por e drejta ligjore nuk është mbi të drejtën kushtetuese, e drejta në arsim është e drejtë kushtetuese”.


Comments are closed.