Take a fresh look at your lifestyle.

Lushtaku rrëfen versionin e tij të ngjarjes: Polici plagosi kolegun e tij, ishim në rrezik të na vriste të gjithëve – Lajmet e fundit



Lushtaku rrëfen versionin e tij të ngjarjes: Polici plagosi kolegun e tij, ishim në rrezik të na vriste të gjithëve




Ish nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe familjarë të tij, dyshohet se janë përfshirë në një incident me policë të Kosovës, ku dy prej tyre kanë mbetur të plagosur.


Lushtaku ka folur në detaje për incidentin e ndodhur, derisa thotë se i vjen keq për gjithçka ka ndodhur mbrëmë dhe sipas tij pasojat kanë mundur të jenë edhe më të mëdha, për shkak të veprimeve abnoramle dhe agresive të policit Enver Smakiqi.


“Ndonëse kisha vendosur që të mos bëj deklaratë publike dhe çështjen ia kam besuar institucioneve ligjore, por për shkak të nxitimit të disa eksponentëve të caktuar të cilët çdo herë janë të gatshëm të bëjnë gjykime publike pa fakte, po flas detajisht për incidentin. Më vjen keq për gjithë çfarë ka ndodhur mbrëmë, në përfshirjen në një inicident krejtësisht të panevojshëm, ku pasoja kanë mundur të jenë edhe me të mëdha për faktin e veprime abnoramle dhe agresive të policit Enver Smakiqi. Polici Smakiqi pa asnjë arsye ka përdorur armën mbrëmë dhe ka plagosur kolegun e tij, derisa qëllim cak kishte vëllaun tim Faton Lushtaku”, thotë ai.Lushtaku thotë se nuk ka pasur armë mbrëmë e as nuk kanë përdorur ndaj policisë, por që polici është plagosur nga arma e kolegut të tij, çka thotë se do të dëshmohet.


“Për hir të së vërtetës dhe vetëm të së vërtetës, deklaroj me përgjegjësi të plotë se unë as nuk kam pas armë, dhe asnjë familjar imi mbrëmë nuk ka përdorë armë. Polici është plagosur nga arma e kolegut të tij Enver Smakiqi, gjë që mund të vërtetohet lehtë nga tri gëzhojat e plumbave të shkrepur nga arma dhe dora e policit Enver Smakiqi. Krejt çka unë po them tani, besoj se e konfirmon edhe policia pas hetimeve dhe analizave e ekzaminimeve të policisë”, shpjegon Lushtaku për Gazeta Blic.


Tutje, ai tregon rrjedhën e ngjarjes.


“Polici Enver Smakiqi pasi ka shqiptuar një gjobë ka vazhduar duke maltretuar fizikisht djalin tim Arberin. Unë kam qenë duke u kthyer në shtëpi me dy vëllezërit e mi dhe e kam parë djalin me veturë ndalur, ku jemi ndalur të shikojmë se çka është problemi, por sjelljet e policit Enver Smakiqi kanë qenë jashtëzakonisht jo normale dhe të dhunshme. Polici Enver Smakiqi ka filluar konflikt me vëllaun tim Fatonin, pastaj ky polic ka nxjerrë armën të cilën ka shkrepur dy plumba, të cilë kanë shkuar huq. Por fatkeqësisht plumbi i tretë ka goditur në këmbë policin Geci. Fatoni dhe vëllezërit e mi kanë reaguar në vetëmbrojtje, ndërsa unë gjatë tërë kohës jam munduar të evitoj konfliktin. Polici Enver Smakiqi ishte jashtë kontrollës, ku për pasojë mbrëmë kemi qenë në rrezik të na vriste të gjithëve neve dhe kolegët e tij. Ky nuk është ky rasti i parë qe polici Enver Smakiqi shfaq dhunë dhe forcë fizike ndaj qytetarëve”, thekson Nuredin Lushtaku.


Ai shton se mbetet përgjegjësi e institucioneve që ta zbardhin të vërtetën e rastit të mbrëmshëm, teksa potencon se janë gënjeshtra lajmet se ai ka plagosur dy policë.


“Mbetet përgjegjësi e institucioneve të merren me të dhe në veçanti të prezantojnë të vërtetën e rastit të ndodhur mbrëmë, që ka ardhur si pasojë e agresivitetit, dhunës dhe përdorimit të armës pa asnjë arsye nga polici Enver Smakiqi.Lajmet e publikuara mbrëmë nga disa portale se gjoja unë kam plagosur dy policë, janë gënjeshtra të qëllimshme dhe tendencioze. Hetime e pavarura dhe të pandikuar do ta zbardhin të vërtetën dhe do të vërtetojnë deklarimin tim.


Inspektorati Policor duhet të sqarojë sa raste të konfliktit dhe ushtrimit të dhunës ndaj qytetarëve i ka polici Enver Smakiqi. Përse ka dhjetëra raste të përdorimit të dhunës e konflikteve me qytetarët dhe është toleruar polici Enver Smakiqi. Kush janë miqtë e Enver Smakiqi në Inspekoratin Policore qe ia kanë mbuluar veprat atij të deritanishme?!”, deklaron Nuredin Lushtaku.


Comments are closed.