Take a fresh look at your lifestyle.

Pas më shumë se 1500 ndeshjeve brenda 24 vitesh, Federer njofton për pensionim nga tenisi

Roger Federer, i konsideruar nga shumë njerëz si lojtari më i madh që ka pasur tenisi dhe që e çoi sportin në nivele të reja gjatë një karriere që zgjat më shumë se dy dekada, do të tërhiqet pas garës së Laver Cup të javës së ardhshme në Londër.

41-vjeçari, i cili fitoi 20 tituj të Grand Slam dhe ripërcaktoi një sport me mjeshtërinë dhe suksesin e tij, bëri të ditur lajmin për fansat e tenisit në mbarë botën, të cilët e kishin frikë prej kohësh një deklaratë të tillë.

Një lëndim në gju do të thotë se ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje që nga humbja në Wimbledon e vitit të kaluar, megjithëse shumë ende shpresonin se ai mund të kthehej për një lamtumirë të fundit, përcjell KosovaPress.

Por ai tha se mosha e tij ka bërë që të vendos për fundin e karrierës së tij.

“Siç e dini shumë prej jush, tre vitet e fundit më kanë paraqitur sfida në formën e lëndimeve dhe operacioneve,” tha Federer në një deklaratë të postuar në “Instagram”.

“Kam punuar shumë për t’u kthyer në formë të plotë konkurruese. Por unë i di gjithashtu kapacitetet dhe kufijtë e trupit tim, dhe mesazhi i tij për mua kohët e fundit ka qenë i qartë. Unë jam 41 vjeç. Kam luajtur më shumë se 1500 ndeshje gjatë 24 viteve. Tenisi më ka trajtuar më bujarisht sesa do të kisha ëndërruar ndonjëherë, dhe tani duhet të kuptoj se kur është koha për t’i dhënë fund karrierës sime konkurruese. Laver Cup javën e ardhshme në Londër do të jetë eventi im i fundit ATP. Do të luaj më shumë tenis në të ardhmen, sigurisht, por jo në Grand Slams ose në turne”, shtoi më tej Federer.

Federer, i cili dominoi tenisin për disa vite pasi fitoi titullin e tij të parë Grand Slam në Wimbledon në vitin 2003 dhe që krijoi rivalitete emocionuese me Rafael Nadal dhe Novak Gjokoviç, është shqetësuar nga lëndimet vitet e fundit.

Ai ka pësuar tre lëdnime në gju në dy vitet e fundit dhe ndeshja e tij e fundit konkurruese ishte humbja në çerekfinale kundër Hubert Hurkacz të Polonisë në Wimbledon 2021.

Federer u kishte ofruar disa shpresa tifozëve të tij kur tha se planifikonte të kthehej në turne pasi u bashkua me rivalin dhe mikun e vjetër Nadal për të luajtur dyshe në Laver Cup në Londër javën e ardhshme.

Comments are closed.