Take a fresh look at your lifestyle.

Plagosja e dy serbëve në Shtërpcë, Policia e Kosovës takohet me kryetarin Jevtiç – Lajmet e fundit



Plagosja e dy serbëve në Shtërpcë, Policia e Kosovës takohet me kryetarin Jevtiç




Drejtori Rajonal i Policisë në Ferizaj, Nëkoloneli Basri Shabani me stafin e tij, sot ka takuar kryetarin e komunës në Shtërpcë Dalibor Jevtiç.


Përmes një njoftimi nga Policia në Ferizaj, është bërë e ditur se në këtë takim është diskutuar situata e sigurisë në rajon, e cila është vlerësuar të jetë qetë pas zhvillimeve të fundit në Shtërpcë, ku u plagosen dy qytetarë serb dhe nga policia rajonale e Ferizajt pak orë më pas u arrestua i dyshuari i kësaj ngjarje.


Gjithashtu thuhet se u vlerësua lartë bashkëpunimi në mes të policisë dhe kryetarit të komunës me bashkëpunëtorë, të cilët bashkërisht menaxhuan mirë situatën pas incidentit, ku disa qytetarë bllokuan rrugën rajonale Shtërpcë – Prevallë për disa orë në shenjë revoltë.


“Ndërkaq, falë bashkëpunimit të mirë ndërinstitucional edhe protesta e mbajtur në Shtërpcë me datën 08.01.2023 kaloi e qetë dhe pa asnjë incident. Kryetari z. Dalibor Jevtiç falënderoi policinë rajonale të Ferizajt për mbështetjen dhe menaxhimin e situatës gjatë dhe pas ngjarjes së incidentit të datës 06.01.2023 dhe ofroi mbështetje të pa rezervë të tij që në Shtërpcë të mbizotëron një ambient i qetë dhe i sigurt për qytetaret e saj”, thuhet në njoftim.


Jevtiq ka pasur disa kërkesa në këtë takim për Policinë e Kosovës, transmeton Zeri.info.


Jevtiqi kërkoi që:


– Të vendosen pika kontrolli në fshatin Drajkovc dhe Jazhincë


– Të shtohet prania e policisë në stacionet e autobusëve, kur fëmijët vijnë dhe dalin nga shkolla


– Të shtohet patrullimi i policisë në rrugët kryesore të Shtërpcës


– Të vendosen kamerat e sigurisë në pika të rëndësishme dhe të mbikëqyren nga policia .


Drejtori Rajonal, Nënkoloneli Basri Shabani e ka siguruar kryetarin e komunës së Shtërpcës se Policia Rajonale e Ferizajt ka ofruar mbështetje dhe përkrahje për stacionin e policisë në Shtërpcë, ka shtuar masat e sigurisë në terren për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt, i ka caktuar dy pika kontrolli në fshatin Drajkovc dhe Jazhincë.


“Policia në vazhdimësi ka punuar me plan operativ ‘’Siguria në shkolla’’,për ti siguruar nxënësit kur vijnë dhe kur dalin nga shkolla, është në zbatim të planit rreth objekteve të kultit, ku në baza ditore vizitohen objektet fetare. Gjithashtu policia rajonale do të bëjë një analizë të re rreth vendosjës së kamerave të sigurisë në vendet kyçe në Shtërpcë, që do të monitorohen dhe mbikëqyren nga policia”, thuhet në njoftim. /Zëri


Comments are closed.