Take a fresh look at your lifestyle.

​Prindërit protestojnë në oborrin e shkollës “Faik Konica”, kërkojnë në mënyrë urgjente fillimin e mësimit

“Nxënësit nuk janë vlerë monetare” “Po duam të kthehemi në shkollë”, janë disa nga thirrjet e nxënësve të shkollës “Faik Konica” në Prishtinë. Prindër e fëmijë sot kanë protestuar për hapjen e shkollave dhe ndërprerjen e grevave. Të dy palët kanë thënë se po janë duke u dëmtuar nga kjo gjendje, kështu edhe kanë kërkuar që urgjentisht të fillojë mësimi.

Riga Sheholli, e cila këtë vit është gjysmë-maturante tha se kjo situatë po ua vështirëson mësimin. Ajo ka treguar se kanë marrë librat, por që në shtëpi e kanë pothuajse të pamundur të mësojnë vet.

Sheholli: Për ne është shumë e vështirë

“Për ne është shumë e vështirë, për nxënësit e klasës së nëntë, sidomos që nuk ka filluar ende procesi mësimor. Kemi humbur shumë, gjithashtu vullneti i nxënësve ka ra shumë poshtë. Ne para një jave kemi marrë librat edhe nuk është e njëjtë sikur t’i hapim librat në shtëpi, si në bankat shkollore”, ka thënë ajo.

Anëtarja e Këshillit të Prindërve në shkollën “Faik Konica”, Fatbardha Sheholli e cila ka dy fëmijët në këtë shkollë ka bërë thirrje që menjëherë të fillojë mësimi.

Sheholli: Po bëjmë thirrje që urgjentisht të fillojë procesi mësimor

“Kemi humbur shumë, kemi humbur 26 ditë edhe t’i humbin 26 orë është tepër e lëre më 26 ditë. Kemi humbur që tri vjet prej kohës së pandemisë, kjo është e tepërt. Dëshirojmë që menjëherë, urgjentisht të fillojë procesi mësimor… Duhet t’i gjejnë mënyrat e veta për grevë, ne duam të fillojë procesi mësimor. Po bëjmë thirrje që urgjentisht të fillojë procesi mësimor. Boll më është bërë me këto gjëra që po ndodhin me fëmijët tanë”, është shprehur Sheholli.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i cili ka përcjellë mbarëvajtjen e kësaj proteste të organizuar në oborrin e shkollës “Faik Konica”, ka kërkuar që zgjidhja për të dalë nga greva të bëhet sot.

Valentina Demolli nga KMDLNj tha se palët duhet të ulen dhe të diskutojnë për zgjidhje, meqë humbjet janë të mëdha.

Demolli: Shpresojmë që brenda ditës të gjendet një zgjidhje

“Ne presim nga të dy palët që të lëshojnë nga qëndrimet e tyre aktuale dhe të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme, mes asaj çka ka ofruar qeveria si mandatare dhe sindikatës në kërkesat e tyre. Ne jemi në anë dhe i dalim në krah të drejtës së fëmijëve të cilët kanë të drejtë dhe po u shkelet dhe po u mohohet e drejta për mësimnxënie. Respektojmë të drejtën e sindikatave për të mbajtur grevë. Realisht ne ende mendojmë që sindikatat kanë shkuar në hapa ekstrem, për shkak se do të duhej të shfrytëzoheshin edhe hapa të tjerë përpara se të shkohej tek ky hapi i madh i grevës së përgjithshme dhe shpresojmë që brenda ditës të gjendet një zgjidhje, për shkak se deri më sot humbjet janë jashtëzakonisht të mëdha sa i përket një sistemi arsimor jashtëzakonisht fragjil”, ka deklaruar ajo.

E, Dardan Gjonbalaj i cili ka fëmijën e regjistruar në shkollën “Faik Konica” tha se nuk kërkojnë fajtorin për këtë situatë, por zgjidhje që fëmijët të kthehen në bankat shkollore.

Gjonbalaj: Është java e katërt dhe është e patolerueshme

“Ne nuk kemi asgjë kundër mësimdhënësve tanë, tendenca jonë është vetëm që të fillojë mësimi dhe t’iu bëjmë me dije që edhe ne prindërit nuk mund të rrijmë duarkryq mes kësaj katrahure të tyre. Dhe po besojmë që duke filluar prej këtu me lutjen ndaj mësimdhënësve dhe pastaj me hapa tjerë ndaj qeverisë e SBAShK-ut që të bëhet një zgjidhje dhe fëmijët të kthehen në shkollë. Është java e katërt dhe është e patolerueshme”, ka thënë ai.

Edhe Remzi Kica, i cili ka qenë profesor i lëndës së Fizikës ka shprehur gatishmërinë që të mbaj mësim për fëmijët.

Kica: Jam gati që të shkoj në çdo shkollë që më thërrasin të mbaj fizikën

“Unë si profesor jam gati që të shkoj në çdo shkollë që më thërrasin të mbaj fizikën. Meqë nuk duan kolegët e mi të rrijnë, jam në gjendje dhe do të mobilizojë të gjithë kolegët e mi që janë në pension të shkojmë të mbajmë mësim, pa pagesë, vullnetar”, ka shtuar ai.

Që nga data 25 e muajit të kaluar është shpallur greva nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Sindikalistët po kërkojnë që të plotësohen kërkesat e tyre prej 50 eurove nga shtatori dhe me rritje të pagës prej 10,45 për qind deri në dhjetor. 

Comments are closed.